Pritshmëritë janë se zgjedhjet e ardhshme do të jenë korrekte dhe demokratike pa asnjë presion, përkundër tensionit të djeshëm mes kandidatëve për president gjatë nënshkrimit të Kodit për zgjedhje të lira dhe demokratike, deklaroi sot kryetari i Komisionit Shtetërorë të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtevski pas përfundimit të takimit të kryetarëve të forumeve të partive politike që nënshkruan Deklaratën për zgjedhje korrekte, të lira dhe demokratike.
“Konsideroj se aktiviteti i djeshëm për nënshkrimin e Kodit kishte tensione, por nuk besoj se do të vazhdojë në atë atmosferë, sepse kryesisht të gjitha kushtet janë plotësuar. Nga ana jonë, pra kushtet teknike i ndërmarrim konform ligjit dhe është në pajtueshmëri me etikën dhe moralin e të gjithë pjesëmarrësve. Konsideroj se do të jetë edhe më mirë, sepse mendoj se do të tejkalohen këto sulme dhe partitë do të fokusohen në fushatën zgjedhore, apo prezantimin e programeve, pasi të fillojë fushata”, ka thënë Dashtevski.
Thotë se gjatë nënshkrimit të djeshëm të Kodit, disa nga kandidatët për president kanë pasur kundërshtime lidhur me ligjin për programin dhe fushatën e paguar politike, për të cilën u tha se KSHZ-ja ka obligim ligjor që të zbatojë dhe veprojë ekskluzivisht konform ligjit.
“Dje ka pasur kundërshtime që kanë të bëjnë me ligjin, të cilat nuk duhet të adresohen ndaj neve, sepse ne kemi obligim dhe kompetenca ligjore që të respektojmë ligjin dhe në këtë mënyrë t’i vendosim gjërat. Aty u fol më së shumti për ndryshime në ligj, që është vonë dhe ndoshta do të fitohet ndonjë pikë politike, por ato punë duhet të vendosen në kohë dhe ne veprojmë ekskluzivisht në përputhje me ligjin dhe çdo mosveprim sipas ligjit kërkon përgjegjësi. Kjo ka qenë më shumë për atë ndarje të mjeteve që nuk u ndryshua në ligjin për programin dhe fushatën e paguar politike. Për këto punë duhet të angazhohen para fillimit të procesit zgjedhor, pasi të hyjmë në proces zgjedhor duhet që të gjithë të jemi të matur në ato kërkesa”, ka thënë Dashtevski.
Kandidatët për president dje kanë nënshkruar Kodin për zgjedhje të lira dhe demokratike, përveç kandidatit për president të GROM-it Stevço Jakimovski. Ai tha se do ta respektojë Kodin, por se nuk do ta nënshkruaj nëse KSHZ-ja nuk garanton se do të organizojë debate, duke theksuar se kandidatë të caktuar janë maksimalisht të favorizuar dhe mjetet e fushatës nuk ndahen në mënyrë të barabartë.
Kryetarët e forumeve rinore të partive sot nënshkruan Deklaratën për zgjedhje të lira dhe demokratike dhe kundër gjuhës së urrejtjes, nga ku dolën me porosi se Deklarata do të përçojë mesazh të qartë se politikanët e rinj, si bartës të vendimeve në të ardhmen, kanë vullnet të fuqishëm dhe vendosmëri për të qenë liderë të ardhshëm dhe për të krijuar kulturë politike të ndryshme duke ngritur dialogun politik në nivelin më të lartë.
Ata thanë se në zgjedhjet e ardhshme gara duhet të bëhet me programe dhe ide dhe jo me fushatë të zezë.
Akti i nënshkrimit të Deklaratës është një ngjarje tradicionale që mbahet para çdo zgjedhjeve që nga viti 2014. Para zgjedhjeve të këtij viti, nënshkrues të deklaratës do të jenë kryetarët e forumeve rinore të 42 partive politike.