Zgjedhjet parlamentare të 8 majit në Maqedoninë e Veriut do të jenë zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare që nga vendosja e sistemit pluralist në vendin tonë, në vitin e 1991. Prej atëherë, zgjedhje kemi pasur edhe në vitin 1994, 1998, 2002, 2006, 2008, 2011, 2014, 2016 dhe 2020. Disa prej proceseve zgjedhore kanë qenë tët rregullta, e disa të parakohshme, të imponuara nga rrethana të ndryshme.
Po e bëjmë këtë retrospektivë për të dalë tek poenta e këtij editoriali. Ajo është se nëse deri para dhjetë-dymbëdhjetë viteve mund të thoshim se jemi vend e traditë të shkurtër demokratiko-pluraliste, tashmë këtë nuk mund ta themi. Së paku jo në aspektin kohor, sepse 33 vite sistem demokratik nuk është edhe periudhë e shkurtër kohore. Brenda një periudhe të këtillë kohore vendet perëndimore kanë bë hapa gjignatë në zhvillimin e proceseve demokratike, gjë që fatkqeësisht nuk ka ndodhur tek ne në atë masë sa që është duhur.
Sidoqoftë, 33 vite nuk janë pak për të bë analiza për karakteristikat e proceseve zgjedhore në Maqedoninë e Veriut, por edhe për të nxjerrë konkluza lidhur me to.
Një prej analizave, për shembull mund të bëhet se si sillen partitë politike me anëtarët dhe simpatizantët në fushatë zgjedhore, e si sillen pas zgjedhjeve. Gjatë fushatës e kemi dukurinë e zakonshme të premtimeve për punësim, avancim, premtime për përfitime, e kështu me radhë.
Anëtarëve dhe simpatizantëve që janë harruar dy, tre, ose katër vite, varëisht kur kanë qenë zgjedhet e fundit, u ofrohen strukturat partiake dhe kandidatët me recetën tashmë të provuar. Fillimisht u kërkojnë flaje që i kanë lënë në harresë, duke shpifur shkaqe dhe arsyetime të ndryshme, ose duke akuzuar se fajin e ka dilani e fisteku, por edhe me premtimin se pas këtyre zgjedhjeve gjithçka do të ndryshon dhe se puna e parë që do ta bëjnë do të jetë zgjidhja e çështjes së tij (punësim, avancim, ndihmë sociale, ‘tugja negë’, apo çka do qoftë tjetër). Atyre votuesve që nuk “lëshojnë pe” me këto pemtime, u qasen me strategji tjetër.
Faza tjetër është edhe më perfide. U afrohen duk u thënë se personalisht “kryetari” (kryetari i partisë) i ka bë të fala dhe që ka bë be e është përbe se punën e parë pas zgjedhjeve që do ta bën është të zgjidhet çështja e tij (votuesit i cili është cak i propagandës partiake për ta përfituar). Nëse votuesi nuk “thyhet” as me të “falat” e kryetarit të partisë, atëherë i thonë se si ka çu “selam” dhe se ka shumë respekt për të dhe se sa herë interesohet ku ka mbetë dhe si ka mbetë filan fisteku.
Kjo është “finta” para së cilës lëshojnë pe shumë votues, sepse të rrallë janë ata që i rezistojnë “selamit” nga kryetari i partisë. Tek ata votues që kalon “finta” njëherë, zakonisht kalon çdo herë. Ka votuese që nga 5-6 cikle parazgjedhore besojnë se kryetari bie e ngrihet me gajlen e tyre dhe se menjëherë pas zgjedhjeve do të kryhet punësimi ose avancimi i tyre, por më kot. Pas zgjedhjeve mbyllen telefonat, humben kontaktet dhe kësaj strukture të votuesve zakonisht nuk u kryhet punë asnjëherë. Ata bartin flamuj e pankarta, ata ngjesin pllakata nëpër mure e nëpër shtylla elektike, ata shkruajnë grafite, ata hyjnë në konflikt me familje e me fqinj për partinë dhe në fund mbeten me gishta në gojë. Aty ku kanë qenë para 20 ose 30 viteve, aty i gjen edhe sot. Nuk kanë lëvizur fare as para as mbrapa, as poshtë as lart edhe pse janë struktura më aktive partiake.
Ata janë të pashpresë. Nga dy herë në vit po të mbahen zgjedhje, prap do të mashtrohen nga partitë politike.
Kush kakon më mirë?
Më mirë kalojnë ata që nuk rrinë as shumë afër, e as shumë larg partive. Ata që mbajnë të njëjtën distancë me të gjitha partitë, por nuk futen në zonën e zjarrit që t’i “djegin duartë” e veta. Dalin në zgjedhje, votojnë, kthehen në shtëpi dhe askujt asgjë. Presin rezultatet nga distanca dhe varësisht se cila parti fiton, aty rreshtohen, madje edhe nëse nuk e kanë votuar. Nuk nguten aspak, por vetëm pasi fitorja të shpallet zyrtarisht edhe nga KSHZ-ja, fillojnë të rrahin gjoks se sa shumë kanë punuar për partinë (fituese) që para 30 viteve edhe pse ndoshta atë kohë fare nuk ka ekzistuar partia në fjalë.
Për dalimit të grupit të parë të aktivistëve dhe votuesve që i përmendëm, të cilët partinë e lavdërojnë par zgjedhjeve dhe e shajnë pas zgjedhjeve kur të vijë në pushtet, grupi i dytë vepron ndryshe. Ata para zgjedhjeve nuk e lavdërojnë asnjë parti, por vetëm pas zgjedhjeve, kur nuk kursejnë lëvdatat për partinë fituese. Tregojnë raste (që askush nuk i din) se sa shumë janë angazhuar për fitoren e “partisë”, se sa janë lodhur duke vrapuar, se sa shumë vota kanë siguruar…
Këta janë votuesit që kalojnë më së miri pas zgjedhjeve. Deri sa grupi i parëi votuesve presin nga 20-25 vite për punësim ose avancim, grupi i dytë ka arritur të punësojë dhe avancojë edhe fëmijët dhe familjarët tjerë, e vetë janë avancuar në pozita solide, e ndoshta edhe shumë të mira.
Prandaj, porosia është se sa më lojal dhe më të zjarrtë tregoheni ndaj partive, aq më pak ato ju përfillin pas zgjedhjeve. Juve ju konsiderojnë si votues dhe simpatizues të sigurt, që nuk ka ku shkon në parti tjetër. Nëse qëndroni anash, nëse mbani distancë të njëjtë ndaj të gjitha partive, e madje edhe nëse kritikoni nga pak, më të mëdha janë gjasat që partitë t’ua zgjedhin hallin që ju tangon “që tua mbyllin gojën”.
Nuk ia vlen as të nagëtrooheni, as të shaheni apo armiqësoheni me fqinj e familjarë për parti politike, sepse para zgjedhjeve ua rrahin shpinën, e pas zgjedhjeve mos u habitni nëse u japin shqelm aty ku nuk duhet!/Zhurnal.mk