AKTUALE

Mitreski u takua me delegacionin e Komisionit ad-hok të AP-së të KE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve

Kryetari i Kuvendit, Jovan Mitreski, sot realizoi takim me anëtarët e Delegacionit të Komisionit ad-hok të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për vëzhgimin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të cilët janë në mision dyditor parazgjedhor, kumtoi shërbimi për shtyp i qeverisë.

Në takim ishin të pranishëm edhe Darko Kaevski, shef i Delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Cvetanka Ivanova, sekretare e përgjithshme e Kuvendit.

Qëllimi i vizitës është ndjekja e përgatitjeve për zgjedhjet e dyfishta të ardhshme në vend, dhe në Komisionin ad-hok, siç theksoi shefi, deputeti zviceran Alfred Her, marrin pjesë nga një anëtar nga të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Asamblenë Parlamentare, përkatësisht Stefan Shenah nga Austria, Kris Said nga Malta, Selivaj Çelenk Ozen nga Turqia, Sibel Arsllan nga Zvicra dhe Xhozef O’Rejli nga Irlanda.

Duke iu referuar përgatitjeve për zgjedhje, kryetari Mitreski informoi se Kuvendi në periudhën e kaluar i ka ndërmarrë të gjitha hapat e domosdoshëm, në kuadër të kompetencave të tij, për të siguruar kushtet për zbatimin e zgjedhjeve të drejta dhe demokratike. Ai informoi se me zgjedhjen e anëtarit të shtatë është kompletuar përbërja e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, është miratuar Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor, duke zbatuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-së. Më tej ai i njoftoi anëtarët e Komisionit ad-hok me aktivitetet aktuale në Kuvend dhe afatet për fillimin e fushatës.

Bashkëbiseduesit, siç qëndron në kumtesë, shkëmbyen mendime për koalicionet parazgjedhore si dhe për çështjet që do të dominonin në fushatat zgjedhore. Në fund u shpreh besimi i përbashkët se zgjedhjet do të zbatohen në përputhje me standardet dhe praktikat më të larta evropiane.

Related posts

Mexhiti pyet Ahmetin dhe Thaçin: A keni bashkëpunuar edhe në vitin 2008!?

Gjyla Halili

Neziri nga ASH-ja: Anëtari në KSHZ nuk i takon LEN-it

Gjyla Halili

Bislimi: Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri pa u hequr sanksionet nga BE-ja

admin