Në kujtim të largimit nga kjo jetë të Këshilltares shtetërore të lekturës në AZGj, Renata Ballanca Asani, e cila ndërroi jetë para disa ditësh, Agjencia organizoi një mbledhje përkujtimore me kolegët dhe familjen e afërt të Renatës.
Drejtori i AZGj-së, Ardian Musliu, në fjalën e tij tregoi për punën, cilësitë e dukshme dhe njerëzoren e Renata Ballancës, ku midis të tjerash tha se, përkushtimi i saj për punën ishte për respekt dhe karakterizohej nga profesionalizmi, përgjegjësia dhe kolegjialiteti. Vetëm një javë para se të ndërronte jetë, ajo e dorëzoi të lekturuar Raportin vjetor të punës së Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës së RMV-së.
Bashkëshorti i të ndjerës, Arif Asani, në emër të familjes, i falënderoi kolegët dhe miqtë e saj, që i qëndruan pranë dhe e inkurajuan në luftën e gjatë me sëmundjen e rëndë.
Në mbledhjen përkujtimore mes dhimbjesh, kolegë, shokë dhe shoqe të Renatës, evokuan kujtime nga puna dhe miqësia me të. Një gjë ishte e përbashkët në kujtimet e tyre; mirësia, urtësia, hijeshia, sharmi dhe fjalët e mira që Renata la pas, ishin tiparet e saj të dallueshme, tipare këto të një gruaje të veçantë, e cila ndërroi jetë në moshë të re.
Në fund drejtori i AZGj-së, ju shprehu ngushëllime bashkëshortit dhe fëmijëve të Renatës.
Foto nga arkivi i AZGj-së
Shkup, 18.3.2024