Nga Flamur VEZAJ
Dega e “VATRËS” në Boston, pas 112 vitesh e “risolli” përsëri Fan Nolin në auditorin e Universitetit të Harvardit, por student i atëhershëm i Harvardit që u diplomua në vitin 1912, erdhi këtë radhë si personazh i një libri biografik të gazetarit të njohur Ilir Ikonomi “Fan Noli – Apostulli”.
Në sallën Boylston Hall të Harvardit, Dega e “VATRËS” në Boston në bashkëpunim me Shoqatën e Studentëve Shqiptarë të Harvardit, organizuan promovimin e librit të Ikonomit me rastin e 59 vjetorit të ndarjes nga jeta të klierikut, shkrimtarit, politikanit e dijetarit të madh të kombit shqiptar Fan S. Noli.
Salla, që ndodhej shumë pranë sheshit të kampusit të Universitetit, filloi të mbushet që në 11:30am. Në hyrje ishte improvizuar një tavolinë ku ishin ekspozuar 50 librat e vëllimit të parë biografik të botuara nga Universiteti Europian i Tiranës, të cilat “Çunat e Bostonit” i kishin sjellë nga Shqipëria enkas për këtë eveniment. Fatkeqësisht, kërkesa për libra ishte aq e madhe sa nuk mjaftuan për të gjithë të pranishmit që ishin në sallë. Gjithçka filloi në orën 12:00, ashtu siç ishte planifikuar.
“Unë zgjodha rrugën e natyrshme, t’i hidhja faktet në tryezë dhe ta lija personazhin tim të fliste vetë, duke i paraqitur lexuesit Nolin e pafiltruar. Sigurisht, e vërteta është e komplikuar dhe shpesh e dhimbshme”; tha Ikonomi në fjalën e tij. Sipas autorit të librit “Fan Noli – Apostulli”; “nganjëherë më është dashur të hy në luftë me vetveten, për të mos shkarë në pozitat e një kritiku të pandershëm dhe as në idolatri”.
Për gazetarin Ilir Ikonomi, i cili ka një eksperiencë mbi 30 vjeçare në “Zërin e Amerikës”, ky libër merret me detaje dhe fakte, të cilat janë gjetur në arkivat e ndryshme të SHBA-ve, Biblotekën e Kongresit në Uashington, Arkivat e Ministrisë së Jashtme Austriake në Vjenë, Arkivit Qendror të Shtetit në Shqipëri, si dhe në arkivin e “VATRËS”.
“Në këtë vëllim të parë të jetëshkrimit, lexuesi do të ketë rast ta njohë Nolin, me pasionet, ambiciet, egon, rrëmbimin, oratorinë, inatet dhe cilësitë e tjera që kanë ose nuk kanë vdektarët e kësaj bote. Jam përpjekur të dokumentoj me saktësi, çdo akt, fjalim, shkrim dhe gjithçka tjetër që lidhet me Nolin gjatë periudhës 1906-1920”; u shpreh Ikonomi për librin e tij “Fan Noli – Apostulli”.
Gjithashtu, Ikonomi bëri një përmbledhje të shkurtër të asaj çfarë ka shkruar në libër, për ardhjen e Nolit nga Egjipti në SHBA, aspiratat e tij, egon e theksuar të dijetarit, hapjen e Kishës Shqipe. Foli për studimet e Nolit në Harvard dhe problemet e tij financiare, përplasjen me Kosta Dakon dhe motrat Qirjazi që e kallëzuan Nolin në FBI-në amerikane, e cila e vuri në përgjim për disa vite me radhë. Gjatë takimit me komunitetin shqiptar, gazetari Ikonomi i’u përgjigj edhe shumë pyetjeve, si për marrëdhëniet e Nolit me Konicën, takimin me presidentin Uillson në vitin 1918, si dhe shumë kureshtjeve të tjera për këtë figurë të rëndësishme të Kombit Shqiptar. Ikonomi, tha se po punon për vëllimin e dytë biografik të Nolit dhe premtoi se do të ketë fakte të reja për punën dhe jetën e të madhit Fan Noli.
Përpara prezantimit të librit nga Ikonomi, për të pranishmit në sallë, foli Zv. Kryetari i Degës së “VATRËS” në Boston, Hirësia e Tij, Peshkop Theofan Koja, i cili bëri edhe recensionin e librit në mënyrë të përmbledhur, duke renditur disa fakte tërheqëse për librin “Fan Noli – Apostulli”. “Libri është i shkruar në mënyrë të thjeshtë, i kuptueshëm, me detaje dhe fakte të pathëna deri më tani që nuk të le të shkëputesh nga libri gjatë leximit të tij. Në libër pasqyrohen të gjitha anët e mira dhe të këqija të Fan Nolit”; nënvizoi Peshkop Koja, recensionin e të cilit do ta botojmë të plotë në Gazetën “Dielli” dhe jo vetëm.
Ndërkohë, që në hapje të takimit, i pari që përshëndeti pjesëmarrësit ishte Kryetari i Degës së “VATRËS” në Boston, z. Mentor Maksutaj, i cili theksoi se ky eveniment mbahet me rastin e 59 vjetorit të ndarjes nga jeta të Fan Nolit, të cilin e vlerësoi lart për gjithçka ai ka bërë për Kombin Shqiptar. “Vepra e Nolit dhe ajo çfarë ai krijoi dhe la pas është një udhërrëfyes për ne këtu në SHBA”; tha z. Maksutaj. Ai falenderoi gazetarin Ikonomi, për librin biografik dhe të detajuar, që sjell për lexuesit shqiptarë për të njohur të githa anët e Fan Nolit.
Më pas, foli edhe përfaqësuesi i Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të Harvardit Faton Limani, njëherazi personi që ka një kontribut të veçantë në vendosjen e “Gjuhës Shqipe” si lëndë plotësuese në Universitetin e Harvardit. Ndër të tjera, Limani tha se; “duhet të ruajmë gjuhën, kulturën, traditën shqiptare këtu në emigrim, duke shpresuar se në vitet në vazhdim pranë Harvardit të hapet edhe një Institut i Studimeve Albanologjike”. Në këtë takim, veç shumë intelektualëve shqiptarë të Bostonit, ishte e pranishme edhe drejtoresha e biblotekës së Fan Nolit që ndodhet pranë Kishës Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit në Boston, znj. Neka Doko. Ajo veç vlerësimeve të larta për këtë organizim si dhe për librin e Ikonomit, foli për vizionin e Nolit dhe pasurinë që ka lënë pas.
Moderimin e këtij evenimenti, për promovimit të librit në fjalë, e bëri Sekretari i Degës së “VATRËS” në Boston, Flamur Vezaj, i cili falenderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe në veçanti gazetarin Ilir Ikonomi, që erdhi nga Uashingtoni për t’u takuar me komunitetin shqiptar dhe për të folur me ta për librin e tij, që tashmë është bërë një pasuri e shtuar biografike për Fan S. Nolin.
Foto: D.Haxhia, F.Memelli, B.Sina, F.Vezaj, A.Kaja etj!
previous post