Nga takimi i Komisionit për Sëmundje Ngjitëse nesër duhet të jetë më e qartë për prindërit dhe të punësuarit në kopshtet në Shkup nëse ndalesa për pranim të fëmijëve të pavaksinuar me DiTePer vlen për të gjithë ata që nuk janë vaksinuar ose edhe për ata që nuk e kanë marrë rivaksinën.
Për shkak të konfuzionit në publik dhe interpretimit të ndryshëm të termit “plotësisht të paimunizuar” nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për vaksinë, e cila merret në tri doza – në moshën dymujore, tremujore ose gjashtëmujore, ose e përfshin edhe rivaksinën, e cila sipas kalendarit për imunizim duhet të pranohet në moshën 18-mujore gjegjësisht një vit pas dozës së fundit nga tri dozat e vaksinës.
Nga e hëna, kur për shkak të shpalljes së epidemisë së kollës së mirë (pertusis) në Shkup hyri në fuqi ndalesa për pranim të fëmijëve plotësisht të pavaksinuar, prindërit përballen me problem që t’i lënë fëmijët e tyre në kopsht edhe pse e kanë marrë vaksinën, por jo edhe rivaksinën. Disa i dërgojnë fëmijët në rivaksinim të parakohshëm, në disa pika refuzojnë t’i rivaksinojnë para moshës së përcaktuar me kalendar. Ka raste edhe kur për shkaqe shëndetësore ose për shkaqe të tjera fëmija nuk mund ta marrë rivaksinën në një vit e gjysmë dhe ajo është shtyrë për më vonë.
Ministri i Shëndetësisë Ilir Demiri sot në konferencë për media tha se fëmijë i vaksinuar konsiderohet fëmija që i ka pranuar tri dozat e vaksinës dhe pret që Komisioni pas takimit të nesërm do ta precizojë interpretimin e vendimit. Theksoi se më e rëndësishme është që publiku të vetëdijesohet për rëndësinë e vaksinimit sepse, tha në Shkup është ngritur flamur portokalli i rrezikut.
“Vaksinë nënkupton nëse fëmija ka marrë tri doza dhe konsiderohet i vaksinuar, ndërsa është i vaksinuar jo plotësisht nëse ka marrë dozën e dytë dhe nuk ka marrë dozën e tretë. Se a është rivaksinuar është tjetër çështje… Kryehet ne muajin e dytë, të katërt dhe të gjashtë dhe nese ka mbaruar vaksinimi atëherë ky është pacient që është vaksinuar… ateherë nuk e kuptoj pse ai duhet të pengohet nga pjesëmarrja. Pastaj bëhet rivaksinimi në moshën 18 muajshe dhe në moshën shtatëvjeçare. Pra, ndalimi duhet të zbatohet për pacientët që nuk janë vaksinuar. Por fokusi duhet të jetë sensibilizimi sepse tani po përballemi me një epidemi që mund të rritet”, tha Demiri.
Shtoi se në takimin e nesërm Komisioni kompetent do të japë koment për vendimin e sjellë, të cilin, tha, do ta respektojnë të gjithë qytetarët dhe ai si ministër.
“Këto formalitete të interpretimit të ndalesës do të zgjidhen nesër pas takimit të Komisionit. Kjo për herë të parë ndodh dhe për këtë dua të jem konciz dhe të mos dalim me qëndrime të ndryshme. Do të ketë qëndrim të unifikuar zyrtar se si duhet të veprohet”, tha ministri Demiri i cili nuk konsideron se është bërë kaos në kopshte, por kaos më i madh është, tha, nëse fëmijët nuk vaksinohen.