AKTUALE

Zgjedhjet, Kovaçevski: Do të bisedojmë për lista të përbashkëta

Edhe pse tashmë është e njohur se në zgjedhjet presidenciale partitë në pushtet, LSDM dhe BDI, do të kenë kandidatët e tyre, kreu i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, nuk ishte konkret në përgjigjen se nëse në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale do të kenë mbështetje nga BDI-ja. Sa i përket përgatitjeve për listat e deputetëve, Kovaçeski tha se do të ketë bisedime me partnerë të koalicionit. Tha se kanë mbi 1,000 kandidatë potencial për deputet të propozuar nga organizatat komunale.

“Për momentin sekretariati i partisë punon në komunikim me Organizatat komunale për selektimin fillestar dhe pastaj udhëheqësia, bordi ekzekutiv etj, ku do të jenë të caktuar kandidatët që do të jenë në listat e deputetëve, kuptohet edhe bisedime me partnerë të koalicionit sa i përket shpërndarjes në vendet konkrete për listat e deputetëve. Ajo që ka të bëjë me mbështetjen e kandidatit për president në rrethin e dytë, ne kemi një ofertë të qartë për votuesit. Të gjithë ata që zotohen që RMV-ja të ecë para, e cila deri në vitin 2030 do të jetë anëtare e BE-së, do ta mbështesin kandidatin, Stevo Pendarovski.”, – deklaroi kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski.

VMRO-DPMNE: Pendarovski ka gënjyer, tani do të ndëshkohet

Nga VMRO-DPMNE theksojnë se Pendarovski në vitin 2019 ka gënjyer qytetarët se Maqedonia nuk ka çështje të hapura me fqinjët e saj dhe se Bullgaria dhe Greqia janë mbështetësit kryesorë të integrimeve. Ka gënjyer edhe kur e promovoi Prokurorinë Speciale si institucion që do të sjellë drejtësi.

“Në fund, Pendarovski jo vetëm që pranoi se gjithçka që premtoi ishte gënjeshtër, por nënshkroi edhe ndryshimet në Kodin Penal për vjetërsimin e një numri të madh veprash penale, duke falur njerëzit nga pushteti, por edhe të gjithë ata që pompuan miliona derisa LSD-ja është në pushtet. Pendarovski e ka shkatërruar drejtësinë dhe është kumbari i krimit. Me të drejtë populli thotë se ne nuk kemi shtet, është koha ta kthejmë.”, – theksoi Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE.

Nga opozita shqiptare, VLEN, deklarojnë se nuk kanë frikë nga paralajmërimet e krijimit të një koalicioni të udhëhequr nga BDI-së, së bashku me Selën, Partinë e Arijanit Hoxhës dhe Skender Rexhepit. Sipas VLEN-it, kjo do t’i qartësojë gjërat për votuesit që tani po manipulohen nga parti të caktuara se duan të garojnë të vetme në zgjedhje.

“Le të bashkohen, të kemi vetëm dy fronte në kampusin shqiptar. Kështu që nuk do të shpërndahet vota shqiptare dhe së bashku t’i fitojmë të gjithë. Pra, në këtë kontekst nuk kemi frikë. Presim të bashkohen dhe të dalin me lista të përbashkëta.”, – u shpreh Blerant Ramadani nga VLEN.

Lëvizja “E di” do të ketë kandidatë në të gjitha gjashtë njësitë zgjedhore.

“Për momentin është në procedurë në Organizatat tona komunale propozimi i kandidatëve të mundshëm për deputetë. Pas mbarimit të asaj procedure, mediat do të informohen në kohë se kush do të jenë bartësit e listave.”, – theksoi Goran Minçev nga Lëvizja “E di”.

Lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, informoi se partia e tij do të mbështesë një dispozitë ligjore që do t’u mundësojë qytetarëve të votojnë edhe me dokumente udhëtimi me emrin e vjetër kushtetues. Bëhet fjalë për 100 mijë qytetarë që nuk kanë letërnjoftim të vlefshëm, dhe kanë pasaportë me emrin e vjetër kushtetues, e cila gjithashtu është e pavlefshme, ndërsa këto ndryshime i parasheh Kodi Zgjedhor.

Ndërkohë në KShZ ka mbërritur edhe një iniciativë për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidat për president të shtetit. Kandidati më i ri, Goce Ristov, ka afat deri të premten për të mbledhur 10,000 nënshkrime, njoftojnë nga KShZ-ja. Në garën presidenciale kanë hyrë tashmë 7 kandidatë. Deri tani 10 mijë nënshkrime i kanë siguruar Bujar Osmani nga BDI, Arben Taravari nga opozita shqiptare VLEN, ndërsa pjesë e garës presidenciale do të jenë edhe Dimitrievski, Vankovska, Jakimovski, Siljanovska dhe Pendarovski.

Related posts

Zona 5 i qëndron besnik “Frontit Europian”, Ismail Jahoski fiton edhe pas rivotimit!

Gjyla Halili

BDI uron të gjithë besimtarët musliman për fillimin e muajit të Ramazanit

Gjyla Halili

REISUL ULEMA I BFI E RMV PRITI NË TAKIM AMBASADOREN E RF TË GJERMANISË Z. PETRA DREKSLER

admin