Në ditën e shënimit të Komunës së Tetovës, qyteti nuk shkëlqen me pastërti, por me mbeturina të shpërndara kudo. Që prej një jave, Tetova është e ngulfatur në plehra dhe deponi të paligjshme, të cilat e bëjnë jetën e qytetarëve të padurueshme. As autoritetet komunale dhe as kompania sllovene “Saubermacher”, e cila ka marrë koncesionin për menaxhimin e mbeturinave, nuk po japin zgjidhje për këtë problem. Qytetarët janë të revoltuar dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente.
Në rrugët dhe trotuaret e qytetit, janë formuar deponi të mëdha të mbeturinave, të cilat lëshojnë një erë të tmerrshme dhe rrezikojnë shëndetin e njerëzve dhe mjedisin. Qytetarët thonë se nuk mund të durojnë më këtë situatë dhe se komuna dhe kompania sllovene nuk po mbajnë premtimet e tyre për një qytet më të pastër. Në një anketë të bërë nga Portalb.mk shumë qytetarë kanë shprehur pakënaqësi në lidhje me këtë situatë.
“Nuk ka asnjë arsye që të jetojmë në këto kushte. Ne paguajmë taksat dhe duam një shërbim cilësor. Komuna dhe kompania sllovene duhet të bëjnë diçka sa më shpejt, sepse këtu po bëhet një katastrofë ekologjike”, tha një qytetar.
“Ne jemi të zhgënjyer nga komuna dhe kompania sllovene. Ata na kanë premtuar se do të zgjidhin problemin e mbeturinave, por nuk po bëjnë asgjë. Qyteti është bërë një deponi e madhe dhe ne vuajmë nga ndotja e ajrit dhe e tokës”, tha një qytetar tjetër.
Nisma qytetare “Më Mirë për Tetovën” ka kritikuar komunën dhe kompaninë sllovene për mungesë të përgjegjësisë dhe profesionalizmit. Ata kanë thënë se komuna ka bërë një reklamë të madhe për kompaninë sllovene, por nuk ka pasur asnjë përmirësim të gjendjes në terren. Ata kanë kërkuar që komuna të rishikojë marrëveshjen me kompaninë sllovene dhe të gjejë një zgjidhje efikase për problemin e mbeturinave.