BDI dhe ASH-ja e drejtuar nga Ziadin Sela mund të dalin bashkë në zgjedhje. Me sa mëson TV21, dy partitë ditëve të fundit janë duke i bërë gati listat e përbashkëta, në të cilat, siç tregojnë burimet, partisë së Selës mund t’i takojnë 3 deri në 5 pozita fituese për deputetë.
TV21 mëson se Ziadin Sela mund të jetë bartës liste në njësinë zgjedhore 5, Ilire Dauti e treta në listën zgjedhore të njësisë 6, ndërsa Elmi Aziri i dyti në listën e zonës 2.
Edhe pse kreu i ASH-së Sela së fundi në një televizion në Kosovë e ripërsëriti qëndrimin e partisë, se ka vendim që në zgjedhje të dalin vetë, megjithatë TV21 ka informacione se Sekretari Gjeneral i ASH-së, Krenar Lloga, është diku finalizuar bashkëpunimin me BDI-në. Megjithatë ky është një proces që ende është duke vijuar, ndërsa TV21 gjatë ditëve në vazhdim do të sjellë më shumë detaje rreth bisedimeve.
Nga ana tjetër, ditëve në vijim po ashtu pritet që BDI të formalizojë edhe bashkëpunimin me Partine Demokratike Europiane të Arjanit Hoxhës dhe Lëvizjen Populli të Skënder Rexhepit – Zejd.
Se si do të reflektojnë të gjitha këto në strukturat e BDI-së, mbetet për t’u parë./TV21