5 vite pasi e ka paraqitur lëndën Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit, Prokuroria Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion ka dorëzuar akuzë kundër kryetarit të Komunës së Strugës, Ramis Merko për keqpërdorim të detyrës zyrtare sipas nenit 353 paragrafi 3 nga Kodi Penal, njofton Portalb.mk.
Siç ka njoftuar sot shefi i kësaj Prokurorie, Islam Abazi në takim joformal me gazetarët, akuza është dorëzuar para tre ditësh në Gjykatën Penale të Shkupit.
Por, kjo iniciativë është dorëzuar në vitin 2019-të. Për 5 vite me radhë nuk dihet se çfarë ka ndodhur me këtë lëndë, ku kryetari Merko ka blerë veturë me llogari të bllokuar, derisa automjetet kundër zjarrit janë të vjetra mbi 50 vjet.
Në qershor të vitit të kaluar, Antikorrupsioni publikisht akuzoi Prokurorinë, gjykatat, Këshillin Gjyqësor, Qeverinë dhe MPB-në se e kanë mbrojtur me vite Merkon.
Audi luksoze me llogari të bllokuar
Antikorrupsioni në vitin 2019-të në iniciativë thekson se kryetari i Gjykatës Themelore Strugë, e ka rritur vlerën minimale të shfrytëzimit të mjeteve nga llogaria e bllokuar e komunës që Merko të mundet të shpenzojë më shumë para. Kështu, ai e ka blerë veturën “Audi”.
“Ankesa deri të Këshilli Gjyqësor ishte për shkak të dyshimit për ndikim politik ndaj gjykatësit i cili vepron ndaj kërkesës së borxhliut Komuna e Strugës për rritjen e vlerës minimale të shfrytëzimit të mjeteve për kryerjen e veprimtarisë themelore të Komunës. Pasi, për dy vendime me gjendje të njëjtë faktike, janë miratuar dy vendime të ndryshme”, tha Ivanoska.
Merko, para 4 vitesh në lidhje me blerjen e kësaj veture luksoze për “24 Analiza” tha se i nevojitet vetura sepse Struga është larg.
“Si do të vija unë sonte këtu nëse nuk do të kisha veturë… Shikoni, Struga është larg nga këtu 200 kilometra. Një e ardhur këtu janë 400 kilometra dhe a nuk është turp një kryetar Komunë të ri rrugëve?”, tha Merko.
Në pyetjen pse jo “Shkoda”, por “Audi”, Merko u përgjigj:
“Për shkak se Shkoda shkon me shpejtësi më të vogël.. Unë e propozova në Këshill dhe u votua që do të marrim një veturë të tillë, ku është këtu problemi?”.
“Të shohim edhe njëherë, sa e bukur është, shihe, shihe (Kamera shfaq inserte nga vetura Audi jashtë hyrjes së shtëpisë televizive, ndërkaq Merko qeshet)…. Çfarë kryetari komune ju dukem unë, do të shkoj me Fiqo?”, tha Merko duke shtuar se nuk ja vlen një kryetarë komune të shkojë me tesha të grisura dhe veturë të vjetër.
Ai tha se nuk është pishman që e ka blerë, dhe shtoi se “ndoshta duhej të kishte blerë veturë ende më të mirë”.
Më 20 qershor Departament Amerikan i Shtetit shpalli non grata, Ramis Merkon.
Uashingtoni nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhet se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.
Përveç Merkos, në listën e zezë të SHBA-ve ishin edhe bashkëshortja e tij Shpresa dhe tre fëmijët e tij.