Kryeministri Albin Kurti ka shkruar se përgatitjet dhe dakordimi për vizitën në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë ishin bërë në vitin e kaluar dhe për këtë arsye e kisha të pamundur të merrja pjesë në takimin e radhës të liderëve të Ballkanit Perëndimor Gjashtë (BP6), në Tiranë.
Megjithëkëtë, ai ka shtuar se në konferencën djeshme në Tiranë me titull “Plani i Rritjes dhe Konvergjenca”, ishte pjesëmarrës virtualisht përmes një videomesazhi, ku theksoi mbështetjen dhe solidaritetin e Republikës së Kosovës me Ukrainën dhe popullin e saj.
Kurti ka shkruar në Facebook se në këtë paraqitje po ashtu ka folur edhe për bashkëpunimin dhe integrimin Rajonal përmes Procesit të Berlinit bazuar në rregullat dhe vlerat e BE-së; përkrahjen dhe përkushtimin për Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian që mundëson lidhjen graduale me Tregun Unik të BE-së; përkushtimin në reforma dhe pritjet për samitin e radhës të Procesit të Berlinit dhe Planin e Ri të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal (TPR).
Përndryshe, sipas një njoftimi të Qeverisë, Kurti ka udhëtuar nga Mbretëria e Bashkuar për në Dublin të Irlandës.
Në kryeqytetin e Irlandës, kryeministri Kurti do të pritet dhe takohet me Kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar.
Gjatë qëndrimit atje, kryeministri Kurti po ashtu do të zhvillojë edhe disa takime tjera zyrtare dhe do të mbajë takimin e tij të parë me mërgatën e Kosovës në Irlandë.