Sa më shumë po afrohet dita e zgjedhjeve, aq më shumë brenda BDI-së po rritet konkurrenca për bartës liste nëpër njësitë zgjedhore. Madje nga burime brenda partisë mësohet se edhe struktura e vjetër është aktivizuar. Jozyrtarisht përmenden emra si Sadulla Duraku e Ejup Alimi, por si kandidat të mundshëm janë edhe Arbër Ademi dhe Ilir Hasani. I pyetur nga TV21, Duraku tha se nuk ka ambicie për një gjë të tillë.
Unë nuk kam pasur kurrë ambicie dhe sërish nuk kam ..edhe më herët kur kam qene në politke nuk kam pasur ambicie”, tha Sadulla Duraku – BDI.
Pyetëm edhe Ejup Alimin. Ai na tha se është ende herët, por si shtoi se për këtë do të bëhen analiza në parti dhe kryesia qendrore do të vendos.
Edhe Arbër Ademi shkurt tha se si gjithmonë për këtë do të vendosin organet partiake.
Sipas burimit, për bartës liste në zonën e parë zgjedhore lakohej emri i Bujar Osmanit, por ai tashmë është kandidat për president nga BDI, e si opsion i dytë përflitet edhe emri i Talat Xhaferit. Ndërkohë, sipas burimit të njëjtë bartës liste në njësinë e 1 zgjedhore ambicie ka shprehur edhe Blerim Bexheti.
Në linjë telefonike ky i fundit për TV21 tha se, nëse organet e partisë vendosin për emrin e tij, ai tha se sigurisht do ta shqyrtojë si mundësi.
“Akoma organet partiake nuk kanë vendosur për listat zgjedhore, tash është procesi i mbledhjes së nënshkrimeve për kandidatin për president, pastaj do vijnë këto çështje dhe do vendosim. Organet partiake nëse do e vlerësojnë atëherë sigurisht se do e shqyrtojmë”, pohoi Blerim Bexheti – BDI.
Nga opozita, sipas analizave që kanë bërë, jozyrtarisht pritet që në zonën 1, bartës të del Izet Mexhiti, ndërsa në 2 Afrim Gashi.
Në NJZ 1 gara pritet të jetë edhe më e nxehtë në palën maqedonase, ku bartës liste pritet të jenë dy liderët e partive më të mëdha, Hristijan Mickoksi dhe Dimitar Kovaçevski, ndërsa në këtë zonë garës pritet t’i bashkëngjiten edhe Dimitar Apasiev dhe Danella Arsovska.