AKTUALE

Aktiviteti kulturor “Kosovë m’a gëzofsh Pavarësinë”


Aktiviteti kulturor “Kosovë m’a gëzofsh Pavarësinë”, për ndertë 16 vjetorit të Pavarësisë, u shënua në Tetovë në Galerinë e Arteve dhe përbëhej nga Ekspozita personale e piktorit dhe arkitektit Afrim Shatku nga Shkupi dhe Ora letrare e titulluar  “Ora e Pavarësisë” ku poetët pjesëmarrës lexuan poezitë e tyre. Manifestim mbahet në shenjë respekti e kujtese për të gjithë ata patriotë, trima e trimëresha, dëshmorë e martirë, burra, gra e fëmijë që sakrifikuan jetën e tyre për lirinë që e gëzojmë sot, që na e lanë trashëgimi gjuhën dhe Atdheun, bashkë me amanetin e tyre për bashkimin e kombit. Me moton “Kosovë m’a gëzofsh Pavarësinë” edhe Tetova festoi Pavarësinë ku u organizua një aktivitet letrar të titulluar “Ora e Pavarësisë” për nder të Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Pjesë marrës ishin poet nga Kosova e Maqedonia si nga Prizreni, Prishtina, Ferizaji, Vitia, Tetova, Gostivari, Shkupi, Struga. Organizatore e këtij eventi letrar ishte poetesha tetovare Sadije Aliti. U lexua edhe telegram urimi i dërguar nga Ambasada e Kosovës në Shkup, që kishin dërguar në pamundësi për të marrë pjesë nga agjenda e ngjeshur për manifestimet e pavarësisë.

“Kjo datë  e rëndësishme, me një  aktivitet artistik të  shënohet edhe në  Tetovë,  të  titulluar “Ora e Pavarësisë ”, me një  simbolikë  të  numrit 17, që  shënon datën e 17 Shkurtit, në  ora 17.17, të  lexojnë  poezitë  e tyre 17 poet pjesëmarrës. Historia shqiptare, ndër shekuj dëshirën për liri dhe pavarësi të  popullit shqiptar e ka shënuar me gjakun e  dëshmorëve e të  rënëve, të  pishtarëve të  dritës që  e deshën më  shumë  atdheun se jetën, duke i nderuar e duke i kujtuar është  më e pakta që  mund të  bëjmë, ne nuk mund të bëjmë punë të mëdha, po mund të bëjmë punë të vogla me dashuri të madhe, porosi e Gonxhe Bojaxhiut, Nënë Terezës ”- theksoi Sadije Aliti.

Një vlerësim artistik rreth pikturave të ekspozuara në Galerinë e Artevenë Tetovë, për ekspozitën personale të Afrim Shatkut prezantoi Dr.Behixhudin Shehapi, historian i artit.“Reminishenca të bukura nga ajo kohë, kur unë për herë të parë u njoftova me kreativitetin e tij artistik, vazhduan deri sot kur çdo takim me Afrimin kemi pasur biseda artistike duke mos e anashkaluar vokacionin e tij si arkitekt, ku ai ka pasur projekte impresive për objektet shoqërore fetare. Pikërisht profesioni arkitekt i jep një veçanti veprimtarisë së tij në artin figurativ, ku reflekton simetria, proporcioni, vija e drejtë, që rezulton me vepra të shkëlqyeshme që e bëjnë Afrimin një artist të veçantë me një stil unik. Afrimi në opusin e tij artistik me mjeshtri përdor stile të ndryshme, ia jep atë liri vetes të jetë i hapur për çdo stil të artit figurativ, por me këmbëngulje krijon konceptin e vet ku vijnë në shprehje imagjinata individuale e artistit duke na dhuruar një tablo unike i cili takon vetëm atij”-tha mes tjerash Shehapi.

Afrim Shatku, arkitekt e piktor, u shpreh se në këtë ekspozite është bërë një përmbledhje e pikturave të tij ndër vite duke filluar nga ato pikturat më të hershme e deri te këto të ditëve të fundit, teknikat e tij janë të ndryshme dhe kanë ecur e janë përsosur me kohën, duke shtuar se ka qenë dëshirë e kamotshme që këtu në Galerinë e arteve të realizonte një ekspozitë personale dhe shprehu faleminderim për pjesëmarrësit.

Vargjet e tyre poetike i lexuan: Sadije Aliti, Behare Neziri, Ejup Ajdini, Daim Iljazi, Rami Kamberi, Bajramali Selimi, Merita Isaku, Zymer Haliti, Berat Batiu, Sibela Bala, Emine Islami, Leme Ahmeti, Sadri Jakupi, Mejreme Tushi-Kajolli, Ibadete Livareka, Ezana Qamili, Fatmire Lumani. Ky aktivitet u përkrah edhe nga kryesia e Shoqatës së shkrimtarëve Oeneum në Tetovë dhe ABC-poetike dhe të dashamirëve të fjalës së shkruar. Për përkujdesje artistike me pika muzikore u përkujdes rapsodi nga Shkupi Tahir Seferi, ndërsa aktivitetin e moderoi Arijana Ibraimi, gazetare.

Edhe Tetova me këtë aktivitet u përfshi në gamën e gjerë të manifestimeve të shumta për Pavarësinë e Kosovës që shënohen anembanë ndër shqiptarë.

Related posts

Panair për burime ripërtëritëse të energjisë dhe efikasitetit energjetik në Skopje Siti Moll

Gjyla Halili

U miratuan ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për sigurim shëndetësor dhe Ligjit për barna dhe mjete mjekësore

admin

Shqipëria heq vizat me pesë shtete në përpjekje për të joshur sa më shumë turistë të huaj

Gjyla Halili