AKTUALE

DW: Maqedoni e Veriut futet në kaos me dokumentet personale

MAQEDONIA E VERIUT-Kaos në sportele: Në bazë të Marrëveshjes së Prespës dokumentet personale të shtetasve të Maqedonisë së Veriut me emrin e vjetër “Republika e Maqedonisë” u bënë të pavlefshme për hyrje-dalje në shtet nga 12 shkurti.

Marrëveshja e Prespës ndërmjet Shkupit dhe Athinës për ndryshimin e emrit të shtetit, që u arrit më 17 qershor 2018, hyri në fuqi në shkurt të vitit 2019dhe kishte një periudhë prej pesë vjetësh për t’i zbatuar detyrimet e saj, përfshirë edhe ndërrimin e dokumentave personale.

Fluks i madh për nxjerjen e dokumentave personale

Sipas të dhënave të Ministrisë të Punëve të Brendshme, rreth 650 mijë qytetarë nga 1.8 milionë sa ka Maqedonia e Veriut, ende nuk kanë arritur të bëjnë zëvendësimin e dokumenteve personale me emrin e ri të shtetit. Për kaosin para sporteleve që lëshojnë dokumentet personale ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka akuzuar ish-ministrin Oliver Spasovski, duke ftuar organet e ndjekjes të veprojnë për shkeljet ligjore dhe për mosveprim në kohë. Për kaosin e krijuar para sporteleve, institucionet kanë fajësuar edhe qytetarët, të cilët, sipas tyre, kanë pritur momentin e fundit për zëvendësimin e dokumenteve edhe pse kishin kohë të mjaftueshme. Por qytetarët janë të revoltuar.

“Ndihem sikur jam bllokuar në një burg të madh, në shtetin që jetoj”, thotë Katerina Goceva.

“Pse të mos mund të udhëtoj jashtë shtetit kjo nuk është e drejtë, megjithëse vetëm para dy vjetësh nxora pasaportën dhe afati i saj nuk ka skaduar. Kjo aspak nuk është në rregull”, shprehet Gëzime Jashari.

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, ka thënë se qytetarët që ndodhen jashtë vendit pas datës 12 shkurt dhe që kanë dokumente të vjetra udhëtimi, do të mund të kthehen në vend me një fletë udhëtimi, e cila lëshohet në zyrën diplomatike dhe misionet konsullore.

Reagojnë shoqatat: Qytetarët janë të pafajshëm

Shoqata e Avokatëve të Rinj thotë, se qytetarët që mendojnë se janë dëmtuar apo se u janë shkelur të drejtat personale, do të duhet të dëshmojnë se shteti ka vepruar në mënyrë të paligjshme duke lëshuar dokumente personale me emrin e vjetër të shtetit, megjithëse që nga janari 2019 janë bërë ndryshimet kushtetuese, e me këtë është ndryshuar dhe emri i shtetit.

“Këta shtetas në praktikë mund të përballen me sfidë në vërtetimin e kësaj rrethane. Ligji kushtetues i janarit 2019 parashikon detyrimin e shtetit për të ‘harmonizuar’ dokumentat me emrin e ri, duke mos parashikuar një datë të qartë deri në të cilën mund të lëshohen dokumentet personale me emrin e vjetër të shtetit. Qytetarët, edhe pse ligjërisht mund të kërkonin përgjegjësi nga shteti, në praktikë do të përballeshin me probleme dhe përfundim të pasigurt të procedurës”, thonë nga Shoqata e Juristëve të Rinj.

Edhe nga Komiteti i Helsinkit kanë theksuar, se një milionë qytetarë të Maqedonisë së Veriut, për shkak të mospajisjes me dokumenta të reja personale me emrin e ri të shtetit, Maqedonia e Veriut, nuk do të mund të gëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe themelore njerëzore për lëvizjen e lirë. “Disa janë bllokuar në vendin e tyre dhe të tjerët nuk do të mund të kthehen. Një çorganizim i tillë prek mijëra bashkëqytetarë dhe çon në shkelje elementare të të drejtave të qytetarëve”, theksohet në reagimin e Komitetit të Helsinkit në Shkup.

Pas reagimeve të shumta të qytetarëve Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar me procedurë të shpejtë, ndryshimet dhe plotësimet në dy ligje për sigurinë në komunikacion, me të cilat zgjatet vlefshmëria e patentës së shoferëve me emrin Republika e Maqedonisë deri në fund të vitit 2024. Përdorimi i tyre vlen vetëm brenda territorit të Maqedonisë së Veriut.

Related posts

Nikollë Camaj: Suksese në rrugëtimin Europian Shqipëri

Gjyla Halili

Besiana dhe Shkodrani përballë njëri – tjetrit në ‘Zambakun e Prizrenit’

admin

Taravari: Me ardhjen e VLEN-it në pushtet, viktimat e rasteve të montuara do të lirohen dhe do të dëmshpërblehen

Gjyla Halili