Kryetari i Qeverisë teknike, Talat Xhaferi, i cili prej dje qëndron për vizitë pune në Bruksel, sot do të takohet me kryetarin e Këshillit të BE-së, Sharl Mishel dhe me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen.
Në këtë vizitë të parë të punës jashtë vendit pas marrjes së detyrës si kryeministër, Xhaferi është shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq dhe ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani.
Siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, tema të takimeve të Xhaferit me liderët evropianë do të jenë prioritetet e Qeverisë në drejtim të vazhdimit të procesit eurointegrues, me fokus të reformave dhe prioritetet e lidhura për Planin rritjes së Ballkanit Perëndimor, përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare në vend, si dhe çështjet e kontekstit rajonal dhe global.
Në kuadër të qëndrimit në Bruksel, delegacioni qeveritar i udhëhequr nga Xhaferi do ta vizitojë edhe selinë e Parlamentit Evropian, ku do të realizojë takim me një grup eurodeputetësh nga radhët e grupeve politike proevropiane.
Vizitën e punës në Bruksel, Xhaferi e filloi dje me një takim me zëvendës sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mirçea Xhoana në selinë e Aleancës, në të cilën u diskutua për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit, sigurinë globale dhe ngjarjet aktuale në Ukrainë dhe Lindjen e Afërt, si dhe për kontributin aktiv të Maqedonisë së Veriut në Paktin veriatlantik.
Në takim Xhaferi e theksoi përkushtimin e Maqedonisë së Veriut në mbajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në fushën euroatlantike, jo vetëm si faktor i stabilitetit të Ballkanit Perëndimor, por edhe me pjesëmarrje aktive në misionet e NATO-s në Kosovë dhe Irak dhe të BE-së në Bosnja e Hercegovinë dhe në grupet luftarake të Aleancës në Letoni, Rumani dhe Bullgari.
Gjithashtu u theksua se në përputhje me përkushtimin për investime në mbrojtje dhe vendimin nga Samiti i NATO-s në Vilnius, Maqedonia e Veriut nga ky vit ndan mjete për nevojat e mbrojtjes në nivel prej dy për qind të PBB-së së saj, prej të cilave 30 për qind është synuar për modernizimin e Armatës, ndërsa vazhdon të mbështesë fuqishëm Ukrainën në luftën kundër agresionit rus.
Në takim u diskutua edhe për sfidat në vijim në periudhën zgjedhore, para se gjithash nga aspekti i ballafaqimit me kërcënimet hibride, dezinformatat dhe sigurinë kibernetike.