Ata do të quhen “anëtarë kandidatë të zgjerimit“ dhe do të marrin pjesë në përgatitjet e opinioneve dhe qëndrimeve të këtij komiteti si dhe në seancat plenare, të cilat në fokus do ta kenë procesin e zgjerimit.
Presidenti i këtij Komiteti Oliver Ropke, ka thënë se kjo nismë ka hasur në reagime pozitive edhe nga Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian, Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së dhe institucione tjera relevante të BE-së.
“Vendet kandidate kanë nevojë për më shumë sesa vetëm fjalë të thata. Ato kanë nevojë për veprime konkrete. Sot EESC merr vendim konkret, duke u dëshmuar atyre se ne jemi partner i besueshëm, i cili mund t’i përmbushë premtimet. Është vërtet një moment historik“, ka thënë Ropke duke shprehur bindjen se që nga fillimi i vitit 2024 anëtarët nga vendet e zgjerimit do të nisin punën me kolegët e tyre në këtë Komitet.
Pjesëtarët nga vendet e zgjerimit, që do të marrin pjesë në punën e Komitetit ekonomik dhe social të BE-së, do të selektohen deri në fund të këtij viti, dhe ata do të jenë nga organizatat e shoqërisë civile.
Nga ky Komitet është thënë se gjatë selektimit do të merren parasysh përvoja dhe pavarësia e tyre dhe do të sigurohet respektimi i barazisë gjinore. Po ashtu, do të kërkohet që të ketë sa më shumë përfaqësues edhe nga organizatat e të rinjve.
Një prej punëve të para, ku planifikohet të përfshihen përfaqësuesit nga vendet e zgjerimit, do të jetë përgatitja e opinionit të EESC për gjendjen e demokracisë dhe rolit të shoqërisë civile në këtë vende, dialogun social dhe prioritetet me të cilat përballen vendet kandidate në fushat e rëndësishme për avancim drejt BE-së.
Sipas një kalendari që ka përgatitur EESC, deri në dhjetor do të përmbyllet procesit i selektimit të përfaqësuesve nga vendet e zgjerimit, në janar do të zhvillohet takimi inaugurues, në mars ose prill do të themelohen grupet e para punuese ndërsa në qershor të vitit të ardhshëm do të zhvillohet seanca plenare e EESC-së me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga vendet e zgjerimit.
Ky Komitet, një lloj sikurse Komiteti i rajoneve, është institucion i BE-së që ka rol këshillues. Në këtë Komitet marrin pjesë përfaqësuesit e shoqërisë civile, sindikatave, organizatave të biznesit, odave ekomomike, akademikë dhe të tjerë nga të gjitha vendet anëtare
Opinionet e tyre pastaj merren parasysh nga institucionet vendimmarrëse të BE-së, si Komisioni Evropian, Parlamenti dhe Këshilli.
Institucionet tjera të BE-së, po ashtu, kanë bashkëpunim të ngushtë me vendet e procesit të zgjerimit.
Por ky bashkëpunim është më shumë politik dhe këshillues sesa formal.
Këshilli i BE-së shpesh mbledh, në nivele ministrore, përfaqësuesit e vendeve anëtare dhe vendeve kandidate në takime që kanë tema të interesit të përbashkët si politika e jashtme dhe siguria, punët e brendshme me fokus në çështjet e migracionit, lufta kundër krimit të organizuar, kundër radikalizmit dhe trafikimeve.
Po ashtu, ka takime të përbashkëta për infrastrukturën rrugore e hekurudhore, për energji dhe disa fusha tjera. Parlamenti Evropian ka takime të përbashkëta me komisionet parlamentare të vendeve kandidate. Në të ardhmen edhe institucionet tjera të BE-së planifikojnë të përfshijnë më shumë, edhe formalisht, partnerët e vendeve të zgjerimit në punën e tyre, siç ka bërë Komiteti Ekonomik dhe Social që thotë se e ka hapur këtë rrugë i pari. /rel/