Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se ka shpallur thirrjen publike për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje për shtëpi dhe banesa, që financohet nga Bashkimi Evropian (BE).
Masat janë prezantuar sot ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Alessandro Bianciardi nga Zyra e BE-së në Kosovë.
Me këto masa synohet mbështetja e konsumatorëve familjarë, në veçanti konsumatorët në nevojë si investimi në instalimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje.
Pajisjet që do të subvencionohen janë: Pompa termike, kondicioner/ klimë efiçiente (pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë), kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket) dhe stufa individuale me biomasë.Vlera e subvencionimit për një pompë termike është 30% e vlerës investive, apo deri në 2 mijë euro.
Vlera e subvencionimit për kondicioner do të jetë e ndyshme.
“Kondicioner/ klimë (pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë), vlera e subvencionimit për një pajisje është 40% e vlerës investive, apo deri në 400.00 €. Për prindërit vetushqyes 60% e vlerës investive dhe deri në 550.00 €. Për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II) subvencionohet 60% e vlerës investive dhe deri në 550.00 €”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.
Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket), subvencionohet 70% të vlerës investive ose deri në 1200 euro.
Gjithashtu edhe vlera e subvencionimit për stufa individuale është e ndryshme
“Ndërsa, stufa individuale me biomasë, vlera e subvencionimit për një (1) pajisje është 70% e vlerës investive dhe deri në 435.00 €. Për prindërit vetushqyes 90% e vlerës investive dhe deri në 560.00 €. Për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II) subvencionohet 90% e vlerës investive dhe deri në 560.00 €”, thuhet në njoftim.
Ministria ka njoftuar se pajisjet që blihen para datës së shpalljes së thirrjes nuk do të subvencionohen.
Afati për aplikim është 60 ditë kalendarike, nga dita që hapet thirrja, pra deri më datën 22 nëntor 2023.
“Ata qe kanë qenë përfitues të subvencionit për blerjen e pajisjeve ngrohëse efiçiente të thirrjes publike Nr.02/2022, më datë 06.10.2022, ose thirrjes publike Nr. 03/2022, më datë 18.11.2022, nuk kanë të drejtë aplikimi për subvencionim për pajisjet ngrohëse efiçiente në kuadër të kësaj thirrje”, thuhet në njoftim.