Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kreu i shtetit shqiptar e konsideroi si platformë unike për bashkëpunim global dhe që ofron shpresë për një botë më të mirë. Ai vuri theksin edhe te roli i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, si në nivel rajonal, ashtu dhe në atë global, në kërkim të paqes dhe sigurisë.
“Shqipëria, pavarësisht se është një komb i vogël me një demokraci të re, ka histori të shënuar nga luftëra që nuk i zgjodhi, si dhe pushtime që nuk i kërkoi dhe as i pranoi. Edhe pse kujtime të dhimbshme, ato kanë dhënë mësime të paçmueshme. Është pikërisht për shkak të historisë së saj që Shqipëria i kushton rëndësi të madhe të drejtës ndërkombëtare si mbrojtja e saj kryesore. Ne përqafojmë me vendosmëri parimet e rendit ndërkombëtar bazuar në rregulla, ku marrëdhëniet midis kombeve bazohen mbi respekt dhe jo mbi pushtet absolut.
Ky angazhim është arsyeja përse ne e kemi dënuar vazhdimisht dhe pa mëdyshje agresionin ushtarak kundër Ukrainës dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë. Pavarësisht madhësisë sonë Shqipëria ka qenë e angazhuar në mënyrë aktive në arenën ndërkombëtare, si në nivel rajonal, ashtu dhe në atë global, në kërkim të paqes dhe sigurisë. Megjithatë, ne e pranojmë se zhvillimi i qëndrueshëm është një komponent integral i arritjes së paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Nga ana tjetër, zhvillimi i qëndrueshëm kuptimplotë është i paarritshëm pa pasur në themel paqen dhe sigurinë e vërtetë”, deklaroi kreu i shtetit shqiptar.
Ndalur te lufta në Ukrainë, Begaj e konsideroi atë një akt agresioni të pajustifikuar dhe të paprovokuar. Sipas Presidentit, kjo luftë “absurde” ka prekur drejtpërdrejtë dhe tërthorazi dimensione të ndryshme të zhvillimit të qëndrueshëm, jo vetëm për Ukrainën dhe rajonin, por për të gjithë globin.
“Kjo luftë e pakuptimtë ka prishur tregjet ndërkombëtare, ka shkaktuar paqëndrueshmëri ekonomike, ka shkatërruar infrastrukturën, përfshirë rrjetet e transportit dhe objektet industriale, dhe ka larguar vëmendjen dhe burimet nga adresimi i sfidave të përbashkëta të zhvillimit, dhe zbatimin e Agjendës 2030. Lufta në Ukrainë ka tensionuar stabilitetin rajonal dhe ka ndikuar në bashkëpunimin midis vendeve. Ka nxjerrë në pah tensionet gjeopolitike dhe marrëdhëniet e tensionuara diplomatike, duke penguar bashkëpunimin ndërkombëtar për nismat e zhvillimit të qëndrueshëm. Efektet e përhapura të luftës, përfshirë zhvendosjen, migrimin dhe shqetësimet ekonomike dhe të sigurisë, siç e kemi parë, mund të kenë pasoja globale që pengojnë përparimin drejt arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZhQ)”, tha Begaj.
Presidenti bëri me dije se Shqipëria mbështet reformën e Kombeve të Bashkuara dhe organeve të saj kryesore, me qëllim forcimin e kësaj Organizate.
“Është koha që të angazhohemi pa kushte, plotësisht dhe me mirëbesim për të arritur një reformë kuptimplotë, duke patur Këshillin e Sigurimit në qendër të tij. Asnjë vend, qeveri apo individ nuk mund të jetë mbi ligjin.
Shqipëria mbështet reformën e Kombeve të Bashkuara dhe organeve të saj kryesore, me syniminin për të forcuar aftësinë e Organizatës për të trajtuar sfidat dhe kërcënimet aktuale në zhvillim për paqen, sigurinë dhe zhvillimin ndërkombëtar”, tha Begaj.
Kreu i shtetit u ndal dhe te problematika me të cilën po përballet e gjithë bota, ndryshimet klimatike. Ai bëri thirrje që kjo sfidë të trajtohet në mënyrë efektive, duke mbrojtur burimet natyrore.
“Përballë ndryshimeve klimatike, kjo sfidë është thelbësore përmes 17 Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Shpresoj që vendi im dhe kombet tona të mund ta trajtojnë në mënyrë efektive këtë sfidë duke mbrojtur burimet tona natyrore dhe trashëgiminë kulturore. Qasja jonë duhet të përfshijë respektimin e diversitetit të këtyre burimeve dhe bashkëpunimin me komunitetet e angazhuara si në çështjet mjedisore, ashtu dhe në përpjekjet për ruajtjen e kulturës. Unë besoj fuqimisht se kjo qasje përforcon demokracinë — i vetmi sistem politik i aftë për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm dhe të drejtë. Vetëm në një botë të tillë brezat tanë të ardhshëm mund të gjejnë lumturi dhe begati. Përpjekjet tona të përbashkëta mund t’i shtrojnë atyre rrugën për një bashkëpunim të suksesshëm në të ardhmen”, theksoi Begaj.