Neuralink, kompania e çipave të trurit të Elon Musk, themeluesit të SpaceX dhe Tesla Motors, njoftoi se ka marrë miratimin nga një bord i pavarur rishikues për të filluar rekrutimin e pacientëve për provën e parë njerëzore, transmeton Anadolu.
Në deklaratën e Neuralink thuhet se pas marrjes së miratimit nga një bord i pavarur rishikues, Neuralink kërkon pacientë për të testuar implantin e saj të trurit për njerëzit e paralizuar në provat klinike.
Implanti do të testohet te pacientët që vuajnë nga paraliza për shkak të dëmtimeve të shtyllës kurrizore. Neuralink nuk bëri të ditur se ku do të mbahet studimi, i cili do të zgjasë afërsisht 6 vjet dhe sa pjesëmarrës do të përfshijë.
Neuralink, kompani në pronësi të biznesmenit amerikan Elon Musk, njoftoi se ishte marrë miratimi nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) për të filluar testimin e projektit të çipit të trurit te njerëzit në maj 2023.
Theksohet se çipat e testuar më parë te majmunët interpretuan me sukses sinjalet në tru dhe i transferuan ato në pajisje. Edhe nëse implanti i trurit provohet i sigurt, ekspertët thonë se mund të duhen më shumë se 10 vjet që nisma të miratohet për përdorim komercial.
Që nga viti 2016, kompania Neuralink synon të trajtojë çrregullime neurologjike si paraliza dhe verbëria dhe të përmirësojë cilësinë e jetës së personave me aftësi të kufizuara, falë mikroçipave që do të vendosen në tru.
Ekspertët paralajmërojnë se studimet paraprake të implanteve të trurit të Neuralink duhet të kryhen më me kujdes dhe më gjithëpërfshirëse, duke marrë parasysh shqetësimet e mundshme teknike dhe të sigurisë.