AKTUALE

Njohësit: Përgënjeshtrimi i Kurtit nga BE-ja e shndërron Kosovën në palë të mosbesueshme

Pas takimit të së enjtes me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, që u përmbyll pa asnjë rezultat, kryeministri Kurti u shpreh se e shtroi në tryezë një propozim për sekuencimin e implementimit të Marrëveshjes Bazë, porse një ditë më vonë në BE theksuan që ky pretendim është i pasaktë.

Augustin Palokaj, korrespondent i KOHËS në Bruksel, ka thënë se një deklarimi i tillë kundërshtues nga zyrtarët e BE-së do të prodhojë rrethana të tjera për Kosovën brenda dialogut me Serbinë.

“Kemi gjithsesi një moment të ri tash, sepse e kemi të shprehur publikisht nivelin e mosbesimit dhe problemet në komunikim mes lehtësuesve të BE-së dhe zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës”, ka deklaruar Palokaj.

E kjo, sipas njohësit të çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, e ka vënë kryeministrin Kurti në pozitën e palës së pabesueshme.

“Përgënjeshtrimi i BE-së është jashtëzakonisht i dëmshëm për imazhin e Kosovës, sepse e shndërron kryeministrin Kurti në një partner të pabesueshëm, i cili nuk është në përputhje me realitetin e ndodhur brenda katër mureve gjatë takimit”, ka thënë Muhaxhiri.

Në Zyrën e Kryeministrit dhe në Qeveri nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me çështjen. E një ditë më parë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi theksoi se në takim, BE-ja e Serbia nuk paraqitën gjë, porse këmbëngulën në akomodimin e kërkesës së Serbisë për t’u fokusuar fillimisht te themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Palokaj ka vlerësuar se kritikat e kësaj natyre janë adresuar për ta paraqitur BE-në si një ndërmjetëse që anon më shumë kah Serbia.

“Në BE u ka mbetur hatri pse Kosova e ka bërë publike dokumentin e Serbisë, por duket se Qeveria e Kosovës këtë e ka bërë për të dëshmuar atë që thotë, e është kritikë ndaj lehtësuesve, se kanë marrë shumë parasysh qëndrimet e Serbisë për të kushtëzuar Kosovën”, ka thënë ai.

E Muhaxhiri ka thënë se prishja e urave bashkëpunuese me BE-në dhe me Shtetet e Bashkuara mund t’i sjellë vetëm dëm Kosovës në aspektin e aspiratave në dialog.

“Qeveria e Kosovës, respektivisht kryeministri Kurti, i ka humbur frekuencat e bashkëpunimit edhe me BE-në, edhe me SHBA-në, dhe do ta ketë shumë vështirë që t’i imponojë agjendat e veta, kërkesat e veta në këtë kontekst tejet të vështirësuar të negociatave”, ka deklaruar Muhaxhiri.

Pas takimit të 14 shtatorit, kryeministri Kurti pati deklaruar se dialogu vështirësohet sa herë që ai tregohet konstruktiv e bën propozime.

Related posts

Hapet shtabi në Reçicë të Vogël/ Halili: I kemi yjet shëndritse të fitores së madhe të Frontit Europian

Gjyla Halili

Asnjëherë mos i hekurosni më rrobat: Truku i thjeshtë që i heqë rrudhat brenda pak minutave

admin

“Nuk jam ndarë me Taravarin” – Ziadin Sela: Ai vepron me direktiva!

Gjyla Halili

Leave a Comment