Dy javë ka zgjatur arratia e Danelo Cavalcante, i dënuari i cili u arratis në mënyrë spektakolare nga burgu i Pensilvanisë, vetëm një javë pasi nisi burgimin e përjetshëm për vrasje.
Ngjarja e bujshme ngriti “në këmbë” autoritetet amerikane të cilat organizuan një operacion masiv për kapjen e të dënuarit.
“Danelo Cavalcante, 34 vjeç, u arrestua në një zonë të pyllëzuar brenda perimetrit të sigurisë të ngritur nga policia”, thotë një burim brenda grupit hetimor për BBC.
Braziliani u arratis nga burgu, duke u kacavjerrë në murin e burgut. Policia hodhi në terren më shumë se 500 oficerë policie për të rënë në gjurmët e tij. 34 vjeçari u dënua muajin e kaluar me burgim të përjetshëm për vrasjen e ish-të dashurës së tij në sy të dy fëmijëve të saj të vegjël në prill 2021. Pamjet e mediave lokale u bënë jehonë pamjeve ku Cavalcante shihej duke u kacavjerrë në pjesën e murit me këmbë dhe me duar.
Pamjet e mediave lokale tregojnë Cavalcanten të prangosur, me një xhup të pistë të Philadelphia Eagles, teksa e shoqërojnë në një furgon të zi policie të blinduar.
Kapja e tij “i jep fund makthit të dy javëve të fundit“, tha policia e Chester County në një deklaratë për shtyp duke falënderuar ata që janë përfshirë në kërkim.
Ata thanë se zyrtarët e burgut kishin bërë “disa ndryshime të menjëhershme për të forcuar sigurinë në burg“, duke përfshirë punësimin e kontraktorëve të rinj të sigurisë.
Metoda e tij e arratisjes ishte e njëjta e përdorur nga një i burgosur tjetër, Igor Bolte, në maj të po këtij viti.
Banorët e Chester County-t ishin në ankth deri ditën e sotme kur panë pamjet e kapjes së tij në televizionet lokale.
Policia i pati paralajmëruar se vrasësi i arratisur kishte hyrë në një shtëpi në zonë dhe kishte ikur me një pushkë të kalibrit 22, ndërsa pronari i shtëpisë qëlloi disa të shtëna në drejtim të tij.
“Nëse e shihni mos iu afroni, kontaktoni me autoritetet pasi konsiderohet shumë i rrezikshëm”, tha prokurorja e Chester, Deb Ryan.
Top Channel