Blerim Vela në Interaktiv të KTV-së ka thënë se presidentja Osmani synon që nëpërmjet procesit të konsultimit të brendshëm të arrihet dakordim për t’i tejkaluar dallimet që ka.
Vela ka thënë se pika e parë e dallimeve në raport me dialogun është përmbajtja e Marrëveshjes Bazë.
“Kemi pasur pritjet tonë, dhe ia kemi komunikuar drejtpërdrejt edhe ndërmjetësit që marrëveshja të jetë eksplicite në njohje. Në komentet e përgatitura në versionin e parë të shtatorit, Presidenca ka dhënë inputin, është tentuar që të forcohen nenet e përmbajtja. Çfarë kemi parë është njëfarë zbehje të marrëveshjes. Kishte disa ndryshime të marrëveshjes në versionin e dhjetorit e janarit, dhe ajo është zbehur edhe tutje. Nuk është në standardin as të marrëveshjes gjermano-gjermane që ishte si bazë”, ka thënë Vela.
Ai ka treguar se pala serbe kishte luftuar për ta ndryshuar nenin 4.
“Në draftin e parë të sekuencimit që ishte dorëzuar një ditë para takimit në Ohër, ndërmjetësi e përfshiu këtë kërkesë të Serbisë. Në plan të zbatimit është paraparë që neni 4 të zbatohet në kuptim të organizatave evropiane. Natyrisht se Kosova se ka pranuar, e ka refuzuar atë. Dokumenti i dalë nga Ohri, është dokument jashtëzakonisht divers. Nuk e ka as strukturën e as logjikën e një plani të zbatimit”, ka thënë Vela. “Te marrëveshja e Brukselit është një nen që parasheh arritjen e marrëveshjes ligjërisht obliguese finale. Argumenti i ndërmjetësve ishte që ne po kërkojmë hapësirën juridike që të shkojmë në drejtim të asaj. Të arrijmë marrëveshje. Kur kemi diskutuar për sekuencimin kemi kërkuar që të jetë i përcaktuar në kohë. E të mos jetë thjeshtë të zbatohet neni 7 pastaj nenet tjera, pasi Serbisë i jepet një lloj vetoje”.
Vela ka thënë se nuk ka garancë që Serbia do ta zbatojë nenin 4 plotësisht.
Ai ka thënë se Serbia nuk e ka zbatuar as Marrëveshjen e Uashingtonit, jo vetëm pjesën që ka të bëjë me Kosovën por edhe në raport me ndërkombëtarët, ku ka marrë obligime sa i përket teknologjisë së dyshimtë kineze.