Presidenti amerikan Joe Biden ka mbajtur bisedimet e nivelit më të lartë të muajve të fundit me drejtuesit kinezë.
Bisedimet u bënë rishtazi gjatë takimit të nivelit të lartë të 20 vendeve me ekonomitë më të mëdha të botës në Nju Delhi, të Indisë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Nike Ching, gjatë një vizite më pas në Vietnam, Presidenti Biden tha se partneriteti strategjik gjithëpërfshirës mes Shteteve të Bashkuara dhe Vietnamit nuk synon frenimin e Kinës.
Në përgjigje të një pyetjeje nga Zëri i Amerikës, Presidenti Joe Biden tha se u takua me Kryeministrin kinez Li Qiang, në kuadrin e takimit të nivelit të lartë të G20-ës në Indi. Gjatë një konference për shtyp në Hanoi, Presidenti Biden tha se mungesa e Presidentit kinez Xi Jinping nga bisedimet në G20, mund të jetë rezultat i krizës së brendshme ekonomike në Kinë.
“Është i zënë tashmë. Ka papunësi masive mes të rinjve. Një ndër shtyllat kryesore ekonomike të planit të tij nuk po funksionon tani. Nuk jam i gëzuar për këtë. Por, nuk po funksionon. Kështu që po përpiqet ndoshta të gjejë zgjidhjen. Nuk e di”, tha Presidenti Biden.
Udhëheqësi amerikan tha se Uashingtoni nuk dëshiron të frenojë Kinën. Presidenti Biden gjithashtu tha se nuk mendon se do të ketë një sulm ushtarak ndaj Tajvanit për shkak të krizës ekonomike të Kinës. Kina e konsideron Tajvanin një provincë të shkëputur dhe nuk ka përjashtuar ndonjëherë përdorimin e forcës ushtarake për të marrë kontrollin e plotë të këtij territori të vetëqeverisur.
“Nuk mendoj se kjo do ta shtyjë Kinën të sulmojë Tajvanin. Madje është e kundërta. Kina ndoshta nuk ka kapacitetet që ka patur më parë. Por siç thashë, nuk synoj të dëmtojmë Kinën. Sinqerisht”, tha Presidenti Biden.
Shtetet e Bashkuara dhe Vietnami po rrisnin nivelin e marrëdhënieve në një partneritet strategjik gjithëpërfshirës – statusi më i lartë diplomatik i dhënë ndonjëherë Hanoit.
Uashingtoni dhe Hanoi vazhdojnë të kenë mosmarrëveshje në lidhje me çështje të të drejtave të njeriut, por pretendimet e mëdha territoriale të Kinës në pjesët e diskutueshme të Detit të Kinës Jugore i kanë afruar më shumë me njëri-tjetrin Shtetet e Bashkuara dhe Vietnamin, thonë analistët.
“Nuk është se zgjedhin anën e Amerikës. Mbajnë Amerikën afër për të ruajtur balancën me Kinën… Për këtë çështje, Vietnami e shikon Kinën njësoj siç e perceptojnë Shtetet e Bashkuara; pra Vietnami e shikon Kinën si një fuqi agresore, kërcënuese, revizioniste dhe që shkel rregullat. Kështu që kur Shtetet e Bashkuara flasin për lirinë e lundrimit dhe respektimin e kuadrit ligjor, Vietnami është plotësisht dakort për këtë çështje”, thotë Greg Poling, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Shtetet e Bashkuara janë tregu kryesor për eksportin e mallrave vietnameze. Vizita e Presidentit Biden do të inkurajojë gjithashtu tregtinë dhe investimet mes dy vendeve, ndërsa Shtetet e Bashkuara po përpiqen të krijojnë një zinxhir furnizimi më pak të ndërvarur nga Kina.
Top Channel