Tirana është mbushur plot me tifozë kuqezi që kanë ardhur nga të gjitha trevat shqipfolëse.
Ata do të ndjekin ndeshjen e Kombëtares Shqiptare që sonte luan me Poloninë në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”.
Mes mbështetësve të Kombëtares është edhe ky tifoz i veçantë, i cili ka ardhur nga Struga.
Në një prononcim të shkurtër për Klan NeWs, ai thotë se Kombëtarja Shqiptare i bën që të harrojnë problemet për disa minuta.
Ndërsa për të pikturuar flamurin kuqezi në fytyrë, ai shprehet se iu deshën 3 orë.
-Unë jam shqiptar i Strugës. Dhe jam atje ku është Kombëtarja. Aty ku gëzon ai shqiptari i Nishit, shqiptari i Tetovës, shqiptari i Tironës, po njëjtë si ai shqiptari nga Ulqini.
Si ndiheni sot në këtë atmosferë të zjarrtë pasi po shohim që tifozët kuqezi i kanë “vënë zjarrin” Tiranës në një lloj mënyre.
-Këtu plotësohem, këtu jam vetëvetja. S’di çtë them, është një kënaqësi kur sheh. Ne si komb kemi shumë halle, e dimë këtë punë, e di ti, e di unë, e di dhe ai që sheh aty, por Kombëtarja, tifozët madhështorë na lënë për disa minuta t’i harrojmë ato hallet që i kemi. Edhe unë e di, edhe unë kam hallet e mia, por kjo është ajo dashnia, është çdo gjë.
Sa orë të dashur për të pikturuar këtë simbol shumë të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët?
-Unë këtë e bëj që nga 2013, në fillim diku 5 orë e gjysmë, kurse tani jam bërë profesionist, diku rreth 3 orë. Por jo aq shpejt sa Kombëtarja që do japë sonte gol. Mendoj që në minutën 22’ do shënojë prapë ky mbrapa (Bajrami).
Cili është mesazhi juaj për të gjithë ata që sot do ndjekin Kombëtaren qoftë në stadium por edhe nga ekrani i televizionit?
-Sa më shumë dashuri për shqiptarët, e vetmja kjo./lexo.al