Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar se nga Heraklioni i Greqisë për në Prishtinë po kthehen me kujtime të mira, përgjegjësi të reja, e plane të shumta investive, pasi Lojërat Mesdhetare 2030 po i sjellin në Kosovë.
Kurti ka postuar një video në “Facebook”, ku edhe ka shkruar se 7 vjet përgatitje dhe mbi 250 milionë euro investime publike, për t’u bërë nikoqir i 26 shteteve pjesëmarrëse e 23 disiplinave sportive.
“Mijëra atletëve e dhjetëra mijëra turistëve, në ngjarjen më të madhe të sportit në historinë e vendit. Na priftë e mbara”, ka shkruar ai.
Të themeluara në vitin 1951, Lojërat Mesdhetare janë një ngjarje multi-sportive që zhvillohet çdo katër vjet me përkrahjen e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Për herë të parë, Kosova do të jetë nikoqire e tyre në atë që do të jetë ngjarja më e madhe sportive e organizuar nga ajo deri më tani.