AKTUALE

Njohësit: Koordinimi me aleatët i domosdoshëm për të mos u zmbrapsur nga vendimet

Vlerësimi është bërë një ditë pasi që kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin, ka theksuar se shtyrja për herë të dytë e zbatimit të vendimit të autoriteteve komunale për largimin e strukturave ilegale serbe nga objekti në pronësi të Komunës që ndodhet në “Lagjen e Boshnjakëve” është bërë si rrjedhojë e trysnisë ndërkombëtare për të shmangur tensionet pak ditë para takimit të nivelit të lartë Kosovë-Serbi në Bruksel, më 14 shtator.

Analisti politik, Visar Xani, thotë se zmbrapsja e institucioneve të Kosovës nga vendimet pas presionit ndërkombëtar flet për mungesën e lirisë së veprimit edhe në çështjet që mund të jenë kompetencë e natyrshme e tyre.

“Vendimet e ndjeshme, të cilat kërkojnë edhe një pëlqim të faktorit ndërkombëtar, patjetër duhet të kenë një koordinim. Për shkak që, nuk them që nuk janë vendime të drejta, por Kosova duket që ende nuk i ka duart e lira në pavarësinë e saj. Për shkak që, shumë veprime politike dhe vendime të rëndësishme politike do të duhej të kishin një koordinim dhe aprovim të faktorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë”, ka thënë Xani.

E analisti Shkumbin Beqiri vlerëson se institucionet duhet të ndalojnë së marri vendime të cilat nuk janë në harmoni me aleatët, pasi që në këtë mënyrë dëmtohet serioziteti i autoriteteve në Kosovë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

“Zmbrapsja e Qeverisë së Kosovës nga vendimet të cilat po i merr për çështjen e veriut tregon dy elemente kyç që e karakterizojnë këtë qeveri. E para, nuk ka një vlerësim të duhur për rrethanat politike që e karakterizojnë çështjen dhe e dyta, i merr vendimet të cilat janë tejet tendencioze dhe për qëllim kanë provokimin e faktorit ndërkombëtar”, ka theksuar ai.

Përkitazi me vendimet, analisti Xani ka adresuar kritika ndaj Qeverisë edhe për veprime populiste. Ai ka shprehur qëndrimin se bazë e vendimeve nuk duhet të jenë përllogaritjet partiake apo politike.

“Këto vendime nuk duhet të merren me kalkulime dhe interesa partiake ose politike, por duhet të mendohen pak më gjerë në aspekt strategjik. Prandaj, edhe nëse humben disa vota, është me rëndësi që aleanca me faktorët ndërkombëtarë të mos ftohet dhe të mos kemi veprime të cilat nuk janë të koordinueshme, sepse pastaj veprimet tërheqëse mund të jenë më të dëmshme se ato të parat”, ka shtuar ai.

E Beqiri paralajmëron se vazhdimi i moskoordinimit me faktorin ndërkombëtar mund të gjenerojë edhe sanksione të tjera, të cilat do të mund ta vështirësonin rrugën e institucioneve të Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ai ka bërë thirrje që të mos prodhohen çështje që mund të bëhen pjesë e diskutimeve në dialogun me Serbinë dhe që mund ta shtojnë trysninë mbi Kosovën.

“Pasojë kryesore që mund të prodhojë qasja e tillë e Qeverise dhe e institucioneve të tjera janë sanksionet e tjera që mund t’i kemi në të ardhmen e që do të mund të sjellin më pas vështirësi në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian”, është shprehur ai.

Qeveria është kritikuar nga faktori ndërkombëtar për moskoordinim në disa vendime.

Ai i fundmajit për vendosjen e kryetarëve të rinj të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin-Potokut e Zveçanit në objektet komunale, me shoqërimin e policisë, ka rezultuar me vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian.

Related posts

Nesër fillon fushata për zgjedhjet kuvendare në Maqedoninë e Veriut

Gjyla Halili

Aziri: VLEN i quan hajdutë votuesit e tyre duke i poshtëruar ata dhe një elektorat të tërë

Gjyla Halili

Kuvendi miratoi huamarrjen nga Hungaria në vlerë prej 500 milion euro

Gjyla Halili

Leave a Comment