Kombëtarja shqiptare ka mbyllur sot përgatitjet ndeshjen ndaj Polonisë, e vlefshme për kualifikueset e Europianit “Gjermani 2024”, me seancën e fundit stërvitore të zhvilluar në stadiumin “Air Albania”.
Pas konferencës zyrtare për media, skuadra ka dalë në fushë për t’u stërvitur për rreth një orë, teksa të gjithë lojtarët kanë marrë pjesë në këtë seancë. Gjendja e grupit është në formë optimale, ndërsa stërvitja nuk ka pasur shumë ngarkesa fizike.
Stafi teknik e ka fokusuar punën më shumë në ushtrimet me topin dhe situata të ndryshme loje. Atmosfera është shumë e mirë në ekip dhe nuk ka asnjë problem fizik me të gjithë grupin që është në dispozicion.
Ndeshja Shqipëri-Poloni do të luhet të dielën e 10 shtatorit në stadiumin “Air Albania”, duke nisur nga ora 20:45.
Një sfidë mjaft e rëndësishme për objektivat e Kombëtares shqiptare, që synon të marrë maksimumin e pikëve, ndërkohë që do të ketë edhe mbështetjen maksimale të tifozerisë, pasi të gjitha biletat janë shitur tashmë dhe stadiumi do të jetë i mbushur plot./balkanweb.com