Xherdan Shaqiri ka shfrytëzuar profilin e tij privat në Instagram për të treguar se po i plotësohet ëndrra për të luajtur një herë në Kosovën e tij të lindjes.
Zvicra luan sot në udhëtim te Kosova në ndeshjen e Grupit I, e cila pritet të zhvillohet nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Kjo ndeshje do të jetë e madhe për disa futbollistë shqiptarë që luajnë me përfaqësuesen Helvetike.
Njëri nga ta padyshim se është edhe ylli i ekipit zviceran, Shaqiri, i cili ka lindur në qytetin e Gjilanit dhe ka emigruar si fëmijë në Zvicër.
Për djaloshin nga fshati Zhegër kjo ndeshje do të thotë shumë, pasi sipas tij ka qenë ëndërr të luajë një herë në Kosovë.
Shaqiri ka shfrytëzuar profilin e tij privat në Instagram për të treguar se do ta shijojë çdo sekondë të kësaj ndeshje.
“Ka qenë gjithmonë një ëndërr të luaj një herë në Kosovën, ku kam lindur. Do të shijoj çdo sekondë”, ka shkruar Shaqiri në Instagram.
Përveç postimit, ylli i Chicago Fire ka shtuar një zemër si ’emoji’ dhe flamujt e Kosovës dhe Zvicrës./lexo.al