Polonia pa frikë mund të cilësohet si “macja e zezë” e Shqipërisë në futboll. Kombëtarja evropiane na ka mposhtur 10 herë, teksa bilancet me polakët janë negative për kuqezinjtë.
Nesër në “Air Albania” (20:45) Shqipëria pret Poloninë për kualifikueset e Euro 2024 në grupin E, teksa situata këtë herë duket ndryshe për tanët, që janë në vendin e dytë me një pikë më shumë se miqtë e Fernando Santos.
Nëse i hedhim një sy përballjeve mes dy skuadrave, bilancet janë dukshëm në favor të Polonisë. 14 herë janë përballur skuadrat në histori, teksa Shqipëria ka marrë vetëm një fitore, ka barazuar tre herë dhe ka humbur dhjetë herë me Poloninë.
Suksesi i vetëm i kuqezinjve daton në 29 nëntor 1953, në “Qemal Stafa”. 2-0 fitonin kuqezinjtë e drejtuar nga Miklosh Vadash në një miqësore, me golat e shënuar nga Loro Boriçi në minutën e 12-të dhe Refik Resmja në të 35 minutë.
Në takimin e 70 viteve më parë tanët e nisnin ndeshjen me këtë formacion: Hamdi Bakalli, Loro Boriçi, Leonid Dashi, Simon Deda, Muhamet Dibra, Besim Fagu (c), Skënder Jareci, Refik Resmja, Xhevdet Shaqiri, Muhamet Vila, Qemal Vogli.
Veç kësaj fitoreje, Shqipëria ka barazuar në tre raste. Në 1 maj 1950 në “Qemal Stafa” ndeshja mbyllej 0-0 për një miqësore. Për kualifikueset e Europianit në 12 maj 1971 ndeshje po në Shqipëri mbyllej 1-1. Në 31 tetor 1984 ndeshja për kualifikueset e Kupës së Botës mbyllej 2-2 në Poloni.
Në të gjitha rastet e tjera, Polonia na ka mundur. Prej 1985 dhe deri sot, Shqipëria nuk ka buzëqeshur në përballjen me polakët. Nga shtatori 2021, e deri në ndeshjen e fundit të 27 marsit 2023 (Poloni 1-0 Shqipëri), polakët kanë rezultuar si “macja e zezë” për kuqezinjtë./lexo.al