Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka cilësuar si lëshim të madh të Kosovës faktin që ka pranuar marrëveshjen bazë të arritur me Serbinë në kuadër të dialogut mes dy vendeve, në të cilën nuk bën pjesë njohja formale.
Në një intervistë për median serbe “Danas”, Bislimi ka deklaruar se Serbia është pajtuar me tekstin e kësaj marrëveshje dhe se zbatimi i plotë i saj çon në një situatë të re dhe më stabile.
“Me Marrëveshjen Bazike (27 shkurt) Serbia është pajtuar që ta trajtojë Kosovën si një anëtare të barabartë sovrane, ka njohur integritetin tonë territorial, ka rënë dakord të mbajë marrëdhënie normale si me të gjithë fqinjët e tjerë dhe të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Ne e kuptojmë se njohja formale nuk është aty dhe ky ishte një lëshim i madh i Kosovës. Është e rëndësishme që ne të ndërtojmë marrëdhënie të qëndrueshme si anëtarë të barabartë të bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Tutje, zëvendëskryeministri është shprehur se vendime të tilla siç i ka cilësuar ai madhore, duhet të merren nga liderë të guximshëm.
“Shpresoj se lidershipi i Serbisë do të gjejë forcë për ta zbatuar Marrëveshjen Bazike në plotni. Kosova ka qenë e gatshme që në fillim dhe është ende, për të bërë pjesën e saj. Ne jemi të gatshëm të rishikojmë dhe përmirësojmë më tej strukturën institucionale për serbët e Kosovës brenda kornizës kushtetuese, por duhet të jetë e qartë se kjo është pjesë e juridiksionit të Kosovës, të cilën Serbia e njeh, e respekton dhe nuk kërkon ta minojë”, ka thënë Bislimi.