Kosova do t’i organizojë Lojërat Mesdhetare në vitin 2030. Kështu ka vendosur të premten Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, që u mbajt në Heraklion të Greqisë.
Kandidatura e Kosovës, përkatësisht Prishtinës, u prezantua nga kryeministri Albin Kurti, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, dhe sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti. Të pranishëm në punimet e Asamblesë së ICMG-së kanë qenë edhe zyrtarë të tjerë të lartë qeveritarë, duke përfshirë tre ministra.
Kandidatura e Kosovës mori përkrahje edhe nga Shqipëria, ku do të mbahen disa prej ngjarjeve. Vlerësime pozitive për kandidaturën e Kosovës dha edhe një komision i ICMG-së, që kishte qëndruar në Kosovë javë më parë.
Paraprakisht Asambleja ndryshoi rregulloren që ua ndalonte shteteve pa dalje në det të organizonin lojërat mesdhetare. Kjo hapi rrugën që ngjarja e madhe të organizohet në kryeqytetin e Kosovës.
Në votim morën pjesë 66 delegatë të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare. 55 prej tyre votuan pro kandidaturës së Prishtinës. Tetë ishin kundër, ndërsa tre abstenuan.
Në Lojëra Mesdhetare marrin pjesë sportistë nga 26 shtete. Dhjetë prej këtyre shteteve nuk e njohin Kosovën.
Kosova pritet të investojë mbi 250 milionë euro për organizimin e kësaj ngjarjeje të madhe sportive. “Prishtina 2030” do të jetë edicioni i 21-të i Lojërave Mesdhetare. Ka pasur përpjekje nga përfaqësuesit e Serbisë që ta bllokojnë kandidaturën e Kosovës, por pa sukses.
Pasi kandidatura e Prishtinës u shpall fituese, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur para delegatëve. Ka thënë se ky është një vendim i shkëlqyer për Kosovën dhe qytetarët e saj.
“Ia dolëm. Faleminderit! Lajm i shkëlqyer për Kosovën dhe për të gjithë ne. Mirënjohje për të gjithë që kanë mbështetur kandidaturën. E çmojmë mundësinë që na është dhënë për të bashkuar 26 anëtarët e Lojërave Mesdhetare në vendin tonë. Uroj të gjithë në Kosovë, sidomos sportistët tanë dhe komunitetin sportiv. Kjo e arritur është rezultat i punës së madhe. Nuk ka të bëjë vetëm me medalje, por edhe me nxitjen e miqësisë. Këto lojëra do të jenë testament i shkëlqyer i madhështisë së Kosovës dhe rajonit mesdhetar”, ka thënë Kurti
Në vitin 2026 Lojërat Mesdhetare do të mbahen në Taranto të Italisë. Lojërat e kaluara Mesdhetare u mbajtën në Oran të Algjerisë, vitin e kaluar. Në Oran ishin 3.298 sportistë. Mbi 3.000 sportistë priten edhe në Prishtinë pas shtatë vjetësh.
“E uroj gjithë Kosovën, të gjithë sportistët e Kosovës. I falënderoj Qeverinë e Kosovës, kryetarin e Prishtinës. Ishte sfidë e madhe. Kemi punuar gjatë. Jemi pak të lodhur, por lobimi ishte i drejtë dhe këtë e dëshmojnë votat që kemi marrë. Kosova nuk ka pasur të drejtë të organizojë Lojërat pasi nuk ka dalje në det. Por ia dolëm të ndryshojmë statutin dhe kjo hapi rrugën”, ka thënë presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi.
Kosova ka pasur telashe të mëdha për t’u pranuar në Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare. Kjo organizatë e pranoi vetëm pas kërcënimit që mori nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.
Sportistët kosovarë tashmë kanë marrë pjesë në dy edicione të Lojërave Mesdhetare. Falë xhudistëve, kanë fituar shumë medalje.
Organizimi i Lojërave Mesdhetare pritet t’i shërbejë sidomos përmirësimit të infrastrukturës në Prishtinë.
“Jemi të përgatitur, përndryshe nuk do të kandidonim. Forcën e një shteti në aspektin sportiv e definon aftësia për të organizuar një ngjarje multisportive. Është festë për të gjithë kombin shqiptar. Një pjesë e garave do të mbahet në Durrës, sporti i lundrimit. 55 vota është fitore e madhe”, ka thënë Besim Aliti, sekretar i përgjithshëm i KOK-ut.
Prishtina ishte kandidatja e vetme për organizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030. Për fitimin e së drejtës të organizimit të ngjarjes kanë uruar personalitete të shumta. Ndër të tjera ka uruar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Triumf i jashtëzakonshëm i sportit kosovar! Kosova do të organizojë Lojërat Mesdhetare 2030, duke i hapur dyert për 26 shtete nga tri kontinente dhe afër 5 mijë sportistë. Përgëzime për Komitetin Olimpik të Kosovës dhe të gjitha institucionet e Kosovës të angazhuara në këtë arritje të madhe. Pa dyshim se Lojërat Mesdhetare do të jenë frymëzim për shumë të rinj e të reja, si dhe për sportistët kosovarë që të prekin majat e suksesit!”, ka shkruar Osmani.
Kryetari i Komunës së Prishtinës ka thënë se bëhet fjalë për moment historik.
“Lajm historik! Prishtina shpallet organizatore e Lojërave Mesdhetare 2030! Lojërat Mesdhetare – Prishtina 2030 janë arritje e madhe për Prishtinën, fitore e madhe për Kosovën dhe Festival i madh sportiv për mbarë kombin shqiptar”, ka shkruar Rama.