BOTA

SHBA, zgjedhjet presidenciale 2024, një përballje tjetër Biden-Trump?

Zakonisht fundjava që i paraprin Ditës së Punës në Shtetet e Bashkuara, ka shënuar fillimin e një sprinti të furishëm të takimeve politike që zhvillohen në shtetin e Ajouas për të përzgjedhur kandidatin zyrtar për president të partisë.

Por ndërsa vëmendja përqendrohet gjithnjë e më shumë tek fushata e vitit 2024, vrulli i zakonshëm po shoqërohet nga një ndjesi paqartësie.

Donald Trump dominon në fushatën paraprake të republikanëve, me epërsi ndaj rivalëve të tij me përvojë bindëse si guvernatorë, diplomatë dhe sipërmarrës.

Fuqia e ish-presidentit vjen pavarësisht ose ndoshta për shkak të padive të shumta penale që po kërcënojnë të lënë në hije çdo debat serioz lidhur me ardhmen e vendit. Tani për tani, dhjetëra miliona dollarë që rivalët republikanë të tij po hedhin në garë, po bëjnë pak për të zvogëluar peshën e ish-Presidentit Trump, duke nxitur shqetësime mes kritikëve republikanë, të cilët druhen se zgjedhjet në thelb, mund të përfundojnë ende pa nisur.

Ndërsa kandidati kryesor republikan, po forcon kontrollin në garën për të siguruar emërimin zyrtarisht nga partia, në kampin demokrat Presidenti Joe Biden duket se po shkon lehtësisht drejt asaj rruge.

Tetëdhjetë vjeçari duket se do ta sigurojë lehtësisht emërimin nga demokratët, pavarësisht shqetësimeve të ngritura nga shumë vetë brenda partisë lidhur me moshën e tij apo punën që po kryen.

Pavarësisht në u pëlqen ose jo votuesve, një përballje e re në 2024-n Trump-Biden duket se po shfaqet në horizont, duke rritur shanset për një sezon zgjedhor paqartësish e që vetëm do të intensifikonte ndarjen politike në vend.

Aktualisht zoti Trump po i anashkalon debatet presidenciale të partisë së tij. Paraqitjet në gjykata ndonjëherë po tërheqin më shumë vëmendje sesa takimet e tij në kuadër të fushatës.

Edhe zoti Biden pothuajse nuk po bën fushatë ndërsa përballet me pikëpyetje mbi moshën e tij dhe sfidat ligjore me të cilat përballet djali i tij, Hunter Biden.

Nuk besoj se do të ketë një ndryshim të dukshëm të gjërave. Pra, ajo që ka ndodhur në të shkuarën përcakton kursin për të ardhmen”, tha në një intervistë Guvernatori demokrat i Kalifornisë, Gavin Newsom, i cili vlerësoi arritjet e Presidentit Biden, ndërsa paralajmëroi partinë e tij që të mos nënvlerësojnë forcës politike të zotit Trump.

Zoti Newsom tha se shqetësimet lidhur me moshën e zotit Biden “janë të drejta dhe se Shtëpia e Bardhë e di” një gjë të tillë.

Por nëse mosha është baraz me rezultate“, vazhdoi ai: “mezi pres ditëlindjen e tij të 85-të”.

Në kampin republikan, po rriten shqetësimet në mesin e disa donatorëve dhe udhëheqësve partiakë, të cilët shpresonin se votuesit konservatorë do të hiqnin dorë nga zoti Trump, duke pasur parasysh sulmin e 6 janarit ndaj Kapitolit dhe rolin e dyshuar të ish-presidentit në frymëzimin e tij, apo dhe sfidat e tjera serioze ligjore me të cilat përballet zoti Trump.

Një përballje e re Trump-Biden do të ishte një fatkeqësi për vendin, një gjë që më dëshpëron”, thotë Bobbie Kilberg, një donatore e njohur republikane, që po mbështet ish-Guvernatorin e Nju Xhersit, Chris Christie. Ajo thotë se është “e frikshme” që kaq shumë votues të partisë së saj, vazhdojnë të mbështesin ish-presidentin.

Refuzoj të besoj se Trump-i është kandidati ynë i pashmangshëm”, thotë ajo.

Por ka ende kohë që panorama zgjedhore e vitit 2024 të ndryshojë.

Mbeten edhe katër muaj para se të hidhen votat e para në zgjedhjet paraprake në Ajoua ndërsa zgjedhjet e përgjithshme janë më shumë se një vit larg. Dhe historia e kohëve të fundit ka ofruar shumë shembuj kandidatësh që i kanë kaluar pritshmëritë.

Si zoti Trump ashtu edhe zoti Biden janë të dy nga ata shembuj. Aborti vazhdon të jetë një shqetësim për zgjedhjet – madje edhe në shtete që shihen si bastione të republikanëve si Kansasi, Kentaki dhe Ohajo – pasi votuesit po refuzojnë përpjekjet republikane për të kufizuar qasjen tek kjo procedurë. Mundësitë janë për një reagim edhe më të madh ndërsa gjykatat po shqyrtojnë qasjen tek pilula e abortit, një ilaç që përgjithësisht është lejuar të përdoret.

Ish-Presidenti Trump përballet me 91 akuza penale që rrjedhin nga katër padi të ngritura nëUashington, Nju Jork, Majemi dhe Atlanta. Ato përfshijnë gjithçka, nga mënyra se si ai i ka trajtuar informacionet e klasifikuara, tek përpjekjet e dyshuara të tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 e deri tek dyshimet se ka paguar një aktore të filmave pornografike për të siguruar heshtjen e saj lidhur me një marrëdhënie të dyshuar seksuale mes tyre.

Ish-presidenti mund të shpallet fajtor në proceset gjyqësore me të cilat përballet përpara zgjedhjeve të përgjithshme të nëntorit të ardhshëm. Megjithatë, udhëheqësit e partisë – përfshirë shumica e kandidatëve rivalë të tij brenda partisë– janë zotuar ta mbështesin zotin Trump edhe nëse ai do të dënohej. Po kështu edhe Kushtetuta nuk e ndalon një person të dënuar që të zgjidhet president.

Në të njëjtën kohë, zyrtarët demokratë janë thellësisht të shqetësuar për mundësinë e futjes në garë të një pale të tretë nën flamurin e ‘No Labels’, një grup i qendrës, i mbështetur nga një buxhet prej 70 milionë dollarësh, që po punon aktivisht për të siguruar këtë vit një vend në garën presidenciale në të paktën 20 shtete.

Udhëheqësit e grupit thonë se ata do të emërojnë një kandidat pranverën e ardhshme vetëm nëse zoti Trump dhe zoti Biden fitojnë zgjedhjet paraprake brenda partive të tyre, gjë që po duket gjithnjë e më e mundshme. Po kështu ata thonë se do të bëjnë përpara me planet e tyre vetëm nëse do të ishte e sigurt se kandidati presidencial i këtij grupimi, nuk do të ndihmonte pa dashje, zotin Trump që të fitonte sërish zgjedhjet.

Por udhëheqësit demokratë nuk janë të bindur.

Disa zyrtarë aktualë dhe ish të zgjedhur kanë qenë në kontakt të ngushtë me organizatën, mes tyre Senatori demokrat Joe Manchin, ish-guvernatori i Jutas Jon Huntsman dhe ish-Guvernatori i Merilendit, Larry Hogan.

Senatori republikan Bill Cassidy, që thotë se e mbështet misionin e ‘No Labels’, nuk e përjashtoi mundësinë e kandidimit në emër të tyre kur u pyet së fundmi gjatë një interviste televizive.

Nuk dua që ‘No Labels’ të përfaqësohet me një kandidat. Unë dua që të dyja palët t’i përgjigjen me përgjegjësi sfidave përpara nesh“, tha zoti Cassidy, duke treguar se nuk do të mbështeste as zotin Trump dhe as zotin Biden. Ai nuk pranoi t’i përgjigjet pyetjes mbi mundësine e kandidimit nën flamurin e këtij grupi.

Republikani nga Luiziana është kundër kandidimi të zotit Trump duke përmendur akuzat penale kundër ish-presidentit, pikëpyetjet lidhur me shanset e tij për të fituar në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit si dhe qasjes refuzuese të ish-presidentit për të njohur problematika që lidhen me mungesën e mundshme të buxhetit për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.

Zoti Cassidy, me profesion mjek, ngriti gjithashtu shqetësime mbi shëndetin fizik dhe mendor të Presidentit Biden.

Në të vërtetë, si zoti Trump ashtu edhe zoti Biden shihen nga votuesit si barrë për partitë e tyre, sipas një sondazhi të ri nga Associated Press dhe qendra kërkimore NORC.

Amerikanët e shohin zotin Biden “të moshuar” dhe “të hutuar” ndërsa zotin Trump “të korruptuar” e “të pandershëm”.

Këto ishin ndër termat kryesore që përdorën amerikanët kur u pyetën për të përshkruar kandidatët kryesorë presidencialë të secilës parti.

Por udhëheqësit e të dyja partive janë të gatshëm t’i anashkalojnë këto probleme.

Presidenti i Demokratëve të Rinj të Amerikës, Quentin Wathum-Ocama, pranon se votuesit e rinj nuk janë domosdoshmërisht entuziastë për një garë të re Trump-Biden. Ai shpreson që kandidatura polarizuese e zotit Trump do t’i japë partisë së Wathum-Ocama-it energjinë që i mungon zotit Biden.

Po, njerëzit duan një brez të ri politikanësh. Ne kemi folur gjithmonë për Joe Biden-in si një figurë e përkohshme në jetën tonë politike, gjë që e ka thënë edhe ai vetë madje”, thotë ai. “Për sa kohë që ne po shohim njerëz, që për çfarëdo arsye, nuk janë entuziastë, kjo tregon se demokracia është në rrezik”.

Praktikisht pa përjashtime, zyrtarët demokratë në Kongres dhe në shtetet kyçe po mbështesin përpjekjet për rizgjedhje të zotit Biden.

Senatori i Vermontit Bernie Sanders, sfiduesi më i fortë i zotit Biden në zgjedhjet paraprake demokrate të vitit 2020, dha mbështetjen e tij për zotin Biden disa orë pasi ai njoftoi vendimin se do të rikandidonte këtë pranverë. Zoti Biden rekrutoi rivalë të tjerë të mundshëm të tij, si pjesë të bordit të këshilluesve të tij në nivel kombëtar. Grupi përfshin ligjvënësin demokrat Ro Khanna, Guvernatorin e Ilinoisit J.B. Pritzker dhe Guvernatorin Newsom.

Republikanët janë shprehur të kënaqur nga mundësia e një kandidimi të mundshëm të zotit Newsom kundër zotit Biden, diçka që guvernatori i Kalifornisë e ka përjashtuar vazhdimisht. Kjo ndodhi kur zoti Newsom hodhi idenë e një debati të profilit të lartë kundër guvernatorit të Floridës, Ron DeSantis, i cili është ndër sfiduesit kryesorë republikanë të zotit Trump.

Zoti Newsom tha se do të zhvillonte një debat me guvernatorin e Floridës, ndoshta në nëntor, megjithëse kampet janë ende duke përpunuar detajet.

Kjo është e vetmja gjë që mund të bëj dhe pres me padurim të ndodhë, që të dëshmoj atë që Joe Biden-i ka arritur, e dua ta bëj këtë ballë për ballë”, tha ai lidhur mbi debatin me zotin DeSantis. “Kjo është një mundësi, një platformë së cilës nuk dua t’i shmangem“, shtoi ai.

Ndërkohë, në një shfaqje besimi, fushata e zotit Trump është përqendruar tek gara e presidenciale e nëntorit 2024, kundër zotit Biden.

Ekipi i tij thotë se ai aktualisht planifikon të anashkalojë të gjitha debatet presidenciale republikane, pas pasojave minimale nga anashkalimi i debatit të parë muajin e kaluar. Zoti DeSantis, që dikur mendohej se përbënte një kërcënim të madh ndaj tij, po has në vështirësi për t’i përmbushur pritshmëritë.

Marrëdhëniet e zotit Trump në të gjithë partinë dhe makina e tij e shtrirë politike e kanë bërë jashtëzakonisht të vështirë për rivalët e tij që të depërtojnë.

Presidenti po përfiton nga drejtimi i partisë gjatë tetë viteve të fundit”, thotë Brian Jack, drejtori politik i fushatës së zotit Trump.

Ish-Presidenti Trump po udhëheq garën presidenciale brenda partisë, duke gëzuar mbështetjen publike të pjesës më të madhe të anëtarëve të Kongresit dhe zyrtarëve të zgjedhur në mbarë vendin, krahasur me të gjithë kandidatët e tjerë të marrë së bashku.

Duke pasur parasysh avantazhin dërrmues të zotit Trump, disa nga aleatët e fuqishëm të ish-presidentit kanë nisur t’u bëjnë thirrje kandidatëve të tjerë republikanë presidencialë të heqin dorë. Kryebashkiaku i Majamit, Francis Suarez i dha fund kandidimit të tij jetëshkurtër për Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar, pasi nuk arriti të kualifikohej për debatin e parë. Por në garë mbeten të paktën tetë kundërshtarë me peshë.

Ka qenë e qartë për muaj të tërë se Presidenti Trump do të jetë kandidati i republikanëve“, thotë ligjvënësja Elise Stefanik, republikania numër tre për nga rëndësia, në Dhomën e Përfaqësuesve. “Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme në jetën tonë dhe unë do të vazhdoj t’u bëj thirrje republikanëve që të bashkojnë të gjithë forcat pas fushatës së Presidentit Trump“, shtoi ajo./ VOA


Top Channel

Related posts

Ulen çmimet e roaming-ut mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

admin

Kontrolli i Prigozhinit mbi grupin Wagner, i paqartë

admin

Zelensky vizitë në Sllovaki, takohet me homologen përpara samitit të NATO-s

admin

Leave a Comment