SPORT

Luiza Gega nuk ndalet, rekord të ri kombëtar në “Diamond League”

Luiza Gega nuk ndalet, rekord të ri kombëtar në “Diamond
Luiza Gega vijon të shkruaj me germa të arta historinë e atletikës shqiptare. Kampionia e Europës ka tejkaluar edhe një herë veten, duke shënuar një tjetër rezultat të madh, teksa ka vendosur rekord të ri kombëtar në garën e 3000 metrave me pengesa.

Këtë herë Gega ka mahnitur në eventin prestigjioz, “Diamond League”, të zhvilluar në Zyrih. Kampionia kuqezi ka fiksuar kohën 9:09.64 në garën e mbrëmjes së sotme, duke stampuar kështu rekordin e radhës në një karrierë të pabesueshme. Luiza përmirëson kohën 9:10.27, të cilën e kishte regjistruar një vit më parë në Kampionatin Botëror në SHBA.

Ndërkohë, duhet theksuar se edhe në “Diamond League” Luiza nuk ishte në kondicionin e saj më të mirë fizik, pasi ende nuk e ka kaluar plotësisht dëmtimin e pasuar rreth 2 javë më parë. Megjithatë ajo bëri një paraqitje mbresëlënëse. Në “Diamond League” morën pjesën atletet më të mira të botës, ndërsa me kohën 9:09.64, Gega u klasifikua në vend të katërt.

I gjithë podiumi i Zyrihut u formua nga treshja e parë e Botërorit të Budapestit, teksa në vend të parë u rendit keniania Mutile Winfred Yavi, e cila përfaqëson Bahrejnin. Ajo fiksoi kohën 9:03.19. Pas saj u klasifikuan dy sportistet e Kenias, Beatrice Chepkoech me kohën 9:03.70 dhe Faith Cherotich me rezultatin 9:07.59. Ndërsa menjëherë pas tyre në finish mbërriti kampionia jonë, e cila po thyen çdo limit duke mahnitur në sallonet më të rëndësishme globale të atletikës./sot.com.al

Related posts

West Ham kopjon Romën – Kreu

admin

Portieri i Kosovës, Bekaj humbi kujtesën

admin

Arrestohet Liu Jun

admin

Leave a Comment