BOTA

Angli/ Babale me telefon në burg, flirtime me vajza e lojëra në TikTok

Një shqiptar, i cili vuan në burgun e Manchesterit një dënim prej 32 vitesh për vrasje, është ekspozuar si përdorues i një telefoni ilegal.

Sipas Mail on Sunday, të cilës i referohet Top Channel, Eugert Merizaj, i dënuar për vrasjen e një rivali Kurd, futet në TikTok e luan lojëra ku nuk mungojnë edhe bashkëbisedueset vajza.

Kur luan këto lojëra në TikTok, thotë kjo gazetë, atij i dërgojnë “gifte”, dhurata nga ata që e ndjekin gjatë lojës. Kjo, thuhet në artikull, është një thyerje e rëndë e masave të sigurisë në burg dhe sipas asaj që ka thënë Merizaj, celulari është futur me dron e më pas ai e ka blerë.

“Nëse ia kapin do të blejë një tjetër për 2000 paund ka thënë shqiptari”, thuhet në artikull.

Merizaj, thotë Mail on Sunday, i cili përdor pseudonimin Babale, në një prej lojërave Live futi një tjetër të burgosur, i quajtur Cameron.

“Të dy flirtuan me një femër, e cila tha se është 21 vjeçe. Ky është shejtan që të bën të qeshësh. A e din ajo që je në burg”, ka thënë Cameron.

Kjo gazetë thotë se ka zbuluar një tjetër fakt se Merizaj ka zhvilluar një lojë Live në TikTok me një tjetër shqiptare që vuan dënim përjetë në Greqi. Merizaj, thuhet më tej në artikull, ishte pjesë e një grupi kriminal të cilët çuan në një shtëpi një shitës kanabisi, Hemawand Ali Hussein në Hartlepool në vitin  2019 nga ku e ekzekutuan me plumb në kokë.

Me pas, Merizaj iku nga Anglia dhe shkoi në Belgjikë, nga ku oficerë policie të armatosur e arrestuan e më pas ai u ekstradua në Angli. Për këtë vrasje me Merizajn, janë dënuar edhe tre shqiptarë të tjerë ndërsa tre të tjerë janë në arrati e të kërkuar nga policia.

Vrasja e kurdit

Prishja e pazareve të drogës shtyu shqiptarin Eugert Merizaj që të vriste 30-vjeçarin Hamawand Ali Hussain më 14 shtator të 4 viteve më parë.

Ai ishte  i martuar me një angleze dhe babai dy femijëve të mbetur jetim.

Në seancën gjyqësore u mësua se një papagall u trondit dhe fluturoi nga kafazi i tij pasi Hussain u qëllua për vdekje me një armë gjahu në një shtëpi në një rrugë Hartlepool. Ishte fqinji, njëkohësisht pronari i papagallit, David Walker, i cili i tha policisë se ai nuk dëgjoi asgjë për shkak të problemeve me dëgjimin, por papagalli i tij papritur fluturoi nga kafazi.

Walker pa nga dritarja tre burra duke vrapuar, pastaj një burrë tjetër me Toyota Hilux të bardhë të parkuar jashtë, pastaj një i pestë që doli nga shtëpia dhe mbylli derën. Ali Hussain, u qëllua në kokë nga një distancë e afërt në Hartlepool.

Eugert Merizaj sipas prokurorit të çështjes, ishte njeriu që urdhëroi e organizoi grupin e shqiptarëve një javë para vrasjes, duke i mbledhur në një shtëpi në Bolton.

Disa ditë para vrasjes, ai u fiksua nga kamerat e sigurisë duke blerë një sëpatë, litar e lidhëse plastike duarsh në dyqanin B&Q në Middlesboroug. Ai gjatë procesit mohoi përfshirjen në vrasje, por pas dy javëve proces gjyqësor, u gjet fajtor e dënua më pas me 32 vite burg.

Tre nga bashkëpunëtorët Merizajt, Noza Saffari, Dorian Pirija dhe Qazim Marku, u dënuan për përfshirjen në këtë vrasje.

Anxelo Xhaferi, 25 vjeç nga Acton Street në Middlesbrough, u lirua nga të gjitha akuzat.

Tre anëtarët e tjerë të dyshuar të bandës shqiptare të drogës si pjesëmarrës në vrasje, Sajmir Dodoveci, Armando Marku dhe Daniel Kadiu, të gjithë janë në arrati. Ndaj tyre është lëshuar urdhër arresti me dyshimin për vrasje.