Ushtarët e trupës së Prigozhinit u dëbuan në Bjellorusi pas kryengritjes së para dy muajve. Tani me gjasa kreu i tyre ka vdekur, por çfarë do të ndodhë me ta?
Se si e humbën jetën me gjasë kreu i trupës famëkeqe, Wagner, Jegvenij Prigozhin dhe Dmitrij Utkin në një rrëzim avioni në rrugën nga Moska në Shën Petersbrug është akoma e paqartë. Pak ditë pas katastrofës nuk ka ende qartësi, në një kohë që gati askush nuk beson në një aksident. Edhe pse zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov ka hedhur poshtë spekulimet për një vrasje me porosi nga Kremlini si “gënjeshtër”.
Për aleaten e ngushtë të Rusisë, Bjellorusinë shtrohet tani pyetja; Çfarë do të ndodhë me një pjesë të milicëve Wagner, që u dërguan aty pas dështimit të rebelimit të inicuar nga Prigozhin? Bëhet fjalë për 4000 deri në 5000 milicë të armatosur, që njihen për stilin e tyre brutal të luftës dhe që në Bjellorusi po përdoren si instruktorë.
Një pjesë mund të qëndrojë në Bjellorusi
Historia e deritanishme e ushtrisë private Wagner të Prigozhinit ka marrë fund ashtu si e njihnim, thotë historiani për Europën Lindore në Universitetint e Dyseldorfit, Alexander Friedman. “Luftëtarët Wagner do të qëndrojnë megjithatë në Afrikë apo në Bjellorusi.” Trupa do të vazhdojë të ekzistojë, “ndoshta me një emër tjetër. Por ajo do të hyjë nën pushtetin e Ministrisë së Mbrojtjes”. Pushtetmbajtësi bjellorus, Aleksander Lukashenko do ta mbante me dëshirë një pjesë të luftëtarëve dhe t’i integrojë në trupat e veta, thotë Friedmann. “Ai do të kishte fonde për 3000 luftëtarë, por fjalën e fundit e ka Moska.”
Por një tërheqje e plotë e trupës nga Bjellorusia nuk është në interes të Rusisë. Kjo do të ulte tensionet në kufirin me Poloninë dhe Lituaninë, ku janë stacionuar ushtarët, që në vendet e BE perceptohen si kërcënim. Por një pjesë e madhe e tyre do të dërgohen në Rusi ose Afrikë, beson studiuesi.
Lukashenko pa interes për t’i mbajtur?
Ndryshe mendon Aleksander Klaskovskij, analist në projektin e pavarur bjellorus, “Pisirk”. Lukashenko nuk ka interes për një trupë Wagner në Bjellorusi. Ushtarët janë pa kokë dhe fati i trupës së fortë luftarake me ambicie politike është i dyshimtë. Si Putini edhe Lukashenko kanë interes ta mbajnë sa më të vogël këtë trupë. Edhe për një arsye tjetër. BE dhe NATO do ta bllokonin komplet kufirin me Bjellorusinë, gjë që do të keqësonte tej mase marrëdhëniet me fqinjët europianë. Edhe kjo është “e papërshtatshme” për Lukashenkon, thotë Klaskovskij.
Sipas Valerij Sahashtshik, një anëtar i partisë së politikanës që jeton në ekzil, Svtelana Tihanovskaja këtë trupë nuk e pret asgjë e mirë. Edhe ai beson, se një pjesë e ushtarëve do të qëndrojë në Bjellorusi. “Sepse Rusia ka interes për provokime në kufijtë me BE dhe akte sabotazhi në Ukrainë.” Por çështja e financimit mbetet një nga më të rëndësishmet.
Dëbimi në Bjellorusi ka qenë një zgjidhje e përkohshme për “problemin Wagner të lidershipit rus”, shton Grigorij Nishkov, nga Instituti i Finlandës për Marrëdhënie Ndërkombëtare. Nuk ka kuptim “as taktik dhe as strategjik mbajtja e tyre në Bjellorusi”. Sipas Nishkov deri në fund të vitit kjo trupë do të largohet nga Bjellorusia.
Këtë e beson edhe Aleksander Klaskovskij. Kjo trupë u ngrit njëherë kundër Putinit, dhe ai nuk u beson më milicëve. Prandaj ata do të shpërndahen me siguri. “Disa do të kthehen në jetën civile, të tjerë do të shkojnë në Afrikë.”/DW
Top Channel