Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm dhe hetimin në detaje të ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, pas arrestimit të dy zyrtarëve të kësaj ministrie dhe një biznesmeni nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare sa i përket rezervave shtetërore.
Sekretari për Organizim dhe Zgjedhje në PDK, Betim Gjoshi, në një konferencë për media ka thënë se “Ridvan Muharremi nuk është thjeshtë një sipërmarrës, por përveç se mik i kryeministrit, është personi përgjegjës, i cili me bekimin e Albin Kurtit dhe emërimin e Rozeta Hajdarit, është marrë me furnizimin e rezervave shtetërore të Kosovës”.
“Ridvan Muharremi është personi i cili në emër të kryeministrit dhe me lejen e tij, përveç se është marrë me biznese të ndryshme, edhe të armëve, ka kërkuar edhe gjetjen e katër dëshmitarëve katolikë kundër krerëve të UÇK-së në Hagë. Ridvan Muharremi, miku i kryeministrit, si person i autorizuar nga Rozeta Hajdari jashtëligjshëm sepse nuk i ka plotësuar kriteret, në emër të furnizmit me rezerva shtetërore, paratë e buxhetit të shtetit i ka dhënë ndërsa mallin nuk e ka marrë asnjëherë – duke i shkaktuar qindra mijëra euro dëme vendit”, ka thënë Gjoshi.
Sipas tij, përgjegjësia politike, publike por edhe penale bie mbi Hajdarin.
“Kryeministri Albin Kurti, urgjentisht, sot, menjëherë, duhet që ta shkarkojë nga detyra ministren Hajdari, për t’i hapur rrugë një hetimi të lirë, të pavarur dhe të pandikuar politikisht. Prandaj, shkarkim dhe hetim për ministren Hajdari, nën udhëheqjen e së cilës po vërtetohet, ashtu siç kemi denoncuar disa herë, se ka ndodhur një prej skandaleve më të mëdha në vend”, ka thënë tutje Gjoshi.
Gjoshi e ka quajtur “fatkeqësi që Kurti rrethohet me njerëz të tillë”.
“Pas përfshirjes së ambasadorit Martin Berishaj në aferën e madhe të tregtimit të energjisë, arrestimit të shefit të KEK-ut Nagip Krasniqi dhe arrestimit të zyrtarit të lartë të Vetëvendosjes për trafikim me drogë, Besnik Mujeci – Ridvan Muharremi është miku i katërt me radhë i kryeministrit Albin Kurti i cili arrestohet dhe dyshohet për keqpërdorim taksave të qytetarëve tanë. Është fatkeqësi e madhe që kryeministri i vendit tonë rrethohet dhe ka për miq të afërt këtë strukturë të njerëzve: Hajnat e energjisë, trafikantët e drogës dhe hajnat e bukës së gojës”, ka thënë Gjoshi.
Në fund të konferencës, Gjoshi ka thënë se “kjo Qeveri ka humbur çdo legjitimitet dhe vendi duhet të shkoj në zgjedhje të parakohshme”.
“Prej aferave me energjinë, koordinimit me Radojçiqin, trafikimit të drogës nga zyrtari i tyre i lartë e deri te hajnia me rezervat e shtetit – janë skandale të cilat këtë qeverisje e karakterizojnë vetëm në një mënyrë: Skandaloze! Të dëmshme! Të paaftë! Prandaj, sot, është prioritet shtetëror që vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme dhe mandati t’u kthehet qytetarëve. Kosova ka nevojë për një qeverisje të re, kredibile, të aftë dhe e cila rikthen prosperitetin e normalitetin në vend”, ka përfunduar Betim Gjoshi.