Trajneri i Galatasarayt, Okan Buruk e donte me ngulm Milot Rashicën në ekipin e tij.
Trajneri turk kishte mbetur i impresionuar me paraqitjet e yllit tonë në Stamboll në edicionin e kaluar, kur ai ishte i huazuar nga Norwich City.
Ndonëse dukej se vushtrriasi do të përfundonte prapë në klubin Kuq e Verdhë, gjërat ndryshuan sa hap e mbyll sytë.
Ish-futbollisti i Vitesses dhe i Werder Bremenit përfundoi në Besiktas, i cili megjithatë nuk e ka zyrtarizuar ende transferimin e tij.
E pas ndeshjes së mbrëmshme në Ligën e Kampionëve ndaj Olimpija Lubjana, Buruk e ka komentuar transferimin e përfaqësuesit kosovar tek rivali lokal.
“Unë pas lojës sapo e dëgjova lajmin për Rashicën. Ne i kemi disa opsione në krahun e djathtë, kemi shumë mundësi atje”, deklaroi Buruk.
Rashica pritet të nënshkruajë kontratë katërvjeçare me ekipin Bardhezi, ndërsa do të paguhet 2 milionë euro në vit.
Besiktasi thuhet se do t’i paguajë 5 milionë euro për kartonin e futbollistit ofanziv.
/BotaSot/