Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Francë.
Një italian i pasur u ndoq nga pas dhe u qortua nga kamarieri i një restoranti në St Tropez pasi i kishte lënë vetëm 500 euro bakshish.
Sipas Daily Mail, ankesa për incidentin e është bërë në gazetën lokale Nice Matin.
Italiani – emri i të cilit nuk bëhet i ditur – u largua nga restoranti luksoz pasi kishte paguar faturën, së bashku me një bakshish bujar prej 500 eurosh. Por kur arriti në parking, një nga kamarierët kishte zbritur pas tij duke e ndjekur. Punonjësi i restorantit i tërbuar i bërtiti duke i thënë se “500 euro nuk mjaftojnë” dhe i kërkoi të kthehej në restorant për të lënë më shumë para dhe për të dhënë një bakshish“minimumi” 1000 euro.
“Ai mendoi se bakshishi që i kishte dhënë ishte shumë bujar, por jo. Kamarieri i tha se shuma nuk i mjaftonte dhe se mund të bënte përpjekje për t’iu afruar shumës prej 1000 eurosh”, tha një mik francez i italianit për Nice Matin.
Klienti i restorantit u zemërua aq shumë nga mosmirënjohja, sa thuhet se i tha mikut të tij se nuk do të shkelte më kurrë aty.
Siç thekson Daily Mail, ngjarja e mësipërme del në dritë pas ankesave të shumta për bizneset e zonës që, jo vetëm kërkojnë shuma të tepruara për shërbimet e tyre, por kërkojnë që klientët të shpenzojnë minimalisht 1500 euro për person për të rezervuar një tavolinë për ta, ose përndryshe refuzojnë t’u shërbejnë nëse ata nuk kanë lënë një bakshish që përmbush pritshmëritë e tyre në vizitën e tyre të parë.
Kryetarja e bashkisë së Saint-Tropez, Sylvie Siri , tha se ka thirrur pronarët e restoranteve në zonë për një takim në fund të verës, për të diskutuar praktikat e tyre, në mënyrë që “pritja e turistëve bëhet në mënyrë më dinjitoze”.
Një rast tjetër i pazakontë ndodhi në Itali, ku një turist u faturua për prerjen e sanduiçit.
Top Channel