AKTUALE

Në Çair te Izet Mexhiti: A po gjuan Albin Kurti “benzinë në zjarr” kundër Ali Ahmetit?

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, të premtën do të udhëtojë në drejtim të Maqedonisë së Veriut. Vizita e Kurtit ka më shumë një karakter simbolik e joformal, por për një politikan shqiptar atje, prezenca e liderit të VV-së është e një rëndësie ndoshta ekzistenciale. Kurti do të shkojë në Maqedoninë e Veriut për të përkrahur Izet mexhitin, ish-lider i grupit të zjarrrit, dikur bashkëpunëtor i afërt i Ali Ahmetit, i vetëquajtur misionar, që udhëheq me BDI-në.

Mirëpo, tash Mexhiti e ka formalizuar një parti të quajtur Lëvizja Demokratike, teksa mysafir i tij javën e ardhshme do të jetë edhe kryeministri Kurti, që po ashtu e udhëheq një parti të quajtur lëvizje. Ndërsa muaj më parë, presidentja Vjosa Osmani ishte në Çairin e udhëhequr nga partia e Mexhiti, aty ku do të shkojë edhe Kurti. Çka po ndodh?

Pak kontekst: Skizma
Që një kohë të gjatë grupi i zjarrit është fraksion brenda BDI-së, parti që drejtohet nga politikani tashmë veteran Ali Ahmeti. Në fakt, ishte vetë Ahmeti që e cilësoi si “grup të zjarrit” fraksionin e udhëhequr nga Mexhiti, që është figurë e respektuar në zonën elektorale të Çairit. Madje, Mexhiti vlerësonte se e kontrollon 40 për qind të elektoratit të BDI-së.

“Ata menduan se me largimin nga pozitat qeveritare do të hështë “Grupi i Zjarrit” por kjo nuk dëshmohet as në terren, as në anketa. Në anketa jemi vazhdimisht në rritje. Në fillim diku ishim 25% nga elektorati i BDI-së, tani shkojmë nga 40% dhe poashtu kemi edhe një pjesë të elektoratit që është i pakënaqur nga subjektet tjera dhe që shohin shpresë tek ne.” – theksonte Mexhiti, transmetonte zhurnal.mk.

Përveç termit lëvizje, që si duket është kopjuar nga emri i Lëvizjes Vetëvendosje, pra partisë së Kurtit, gjuha e Mexhitit tingëllon çdo ditë e më shumë sikurse ajo e Kurtit. Ai theksonte se BDI e Ahmetit i ngjan VMRO-së së Sashos.

“Nuk po e njohim më Ali Ahmetin kështu. KA qenë ai që ka mbajtur mbledhje të gjata të Kryesisë nga 13-15 orë, ka dëgjuar mendime pro dhe kundra, nuk ka mbajtur anën e asnjërit, ka lojtur rolin e prindërit. Tani i gjithë pushteti është në duart e Artan Grubit, me lejen e Ali Ahmetit. Kjo BDI i ngjan më tepër VMRO-së së Sashos ose PDSH-së së dikurshme.”- tha Mexhiti.

Përveç për Ahmetit, Mexhiti dhe ish-grupi i zjarrit ankohej edhe për sjelljen arrogante dhe diletante të ekzekutivit në krye me Artan Grubin, duke e akuzuar atë se me një sjellje të tillë ka “shkaktuar pakënaqësi, revoltë dhe pasivitet te strukturave dhe të votuesve”.

Përkrahja e Kurtit…ndoshta edhe e Osmanit
Por përveç emrit e gjuhës, Mexhiti duket se e ka edhe përkrahjen e VV-së, më saktësisht të Kurtit, që është një nga politikanët më të popullarizuar në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Të premten me 11 gusht, Kurti do të udhëtojë për në Çair, komunë që udhëhiqet nga partia e Mexhitit.

Ndonëse udhëtimi drejt Çairit lidhet me një promovim të një rruge që mban emrin e Adem Demaçit, mesazhi i vizitës në këtë kohë dhe në këto rrethana, është një sinjal i rreshtimit pro-Mexhitit nga ana e Kurtit. Sigurisht, përveç Mexhitit, Kurti me shumë gjasë do të mbështet frontin opozitar kundër Ahmetit, që udhëheq me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut që “një shekull kohë”.

“Do të bisedohet edhe për tema politike, ku do të ketë një ndarje mes atyre që janë me Ballkanin e Hapur dhe atyre, përkatësisht neve, si edhe Kurtin që jemi për Procesin e Berlinit. Normalisht se do të bisedojmë dhe për tema që thellojnë bashkëpunimin ndërmjet frontit opozitar shqiptar në Maqedoni (të Veriut) me Lëvizjen Vetëvendosje në Kosovë.” – deklaroi Mexhiti për vizitën e Kurtit në Çair, transmeton REL.

Ndryshe, presidentja Osmani kohë më parë e vizitoi Maqedoninë e Veriut, ku u takua me homologun e saj, Stevo Pendarovskin dhe kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi. Osmani nuk u takua me Ali Ahmetin, por i shkoi në konak Mexhiti, ku e përuroi një rrugë në emrin e Ibrahim Rugovës.

“Padyshim që kjo rrugë, të cilën e përuruam sot, bashkë me kryetarin e Komunës, Visar Ganiu, bijën e Presidentit Rugova dhe me miq të shumtë të shtetit tonë, do të shërbejë si udhërrëfyes i veprës dhe rikujtim i trashëgimisë historike të Presidentit Rugova.” – shkroi Osmani.

Në fakt, para përkrahjes ndaj Mexhitit, Kurti e kishte pasur edhe një “afërsi politike” me Blerim Rekën, të cilin e përkrahu pasuksesshëm në garën për president të Maqedonisë së Veriut. Andaj, nuk dihet cili do të jetë ndikimi i Kurtit në projektin e ri politik të Mexhitit, megjithatë një gjë duket ashiqare: Kurti e ka zgjedhur tashmë anën e tij. Ai është me Mexhitin.

Related posts

Izet Mexhiti takohet me Bruno Ceka: “Takim miqësorë mes shokësh të vjetër”

admin

Moti sot në Maqedoninë e Veriut

Gjyla Halili

Osmani vizitë dyditore në Shqipëri, do të takohet me Begajn dhe Ramën

admin

Leave a Comment