Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj bëri të ditur sot se projektligji “Taksa e Pasurisë”, është nxjerrë për konsultim publik në portalin https://konsultimipublik.gov.al/Konsultime/Detaje/648.
Ibrahimaj fton të interesuarit të japin sugjerimet e tyre mbi këtë projektligj deri në 31 gusht 2023 në portalin e konsultimit publik https://konsultimipublik.gov.al/Konsultime/Detaje/648
“Jemi duke ndërmarrë një reformë, sipas praktikave më të mira ndërkombëtare për taksimin e pasurisë së paluajtshme, bazuar në vlerën e tregut”, tha Ibrahimaj.
Sipas saj, kuadri i ri ligjor do të sigurojë zbatimin e taksimit sa më të drejtë, efektiv dhe transparent, si dhe do të garantojë kthimin e saj në burimin kryesor të të ardhurave të veta për njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Ministrja bëti të ditur se, projektligji ka parashikuar mbështetje përmes përjashtimeve për disa kategori të ndryshme grupesh sociale dhe tipologji pronash.
MFE bën të ditur se, projektligji për tasimin e pasurive të paluajtshme, ka për qëllim taksimin e pasurisë së paluajshme, duke u bazuar në vlerën e tregut me synim rritjen e efektivitetit, eficiencës dhe transparencës në mbledhjen e taksës.
Ky projektligj vjen si domosdoshmëri, pasi toka dhe ndërtesat janë të lidhura ngushtësisht me shërbimet që ofrohen nga bashkitë përkatëse, sidomos në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve lokale, trasportin urban, policinë bashkiake, mbrojtjen kundër zjarrit etj.
Po çfarë është dhe si llogaritet taksa e pasurisë.
Është një taksë vendore dhe vjetore. Ajo llogaritet si shumëzim i vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme me shkallën e zbatueshme të taksës.
Taksa e pronës për apartamentin e dytë, apo më shumë do të jetë deri dyfish më e lartë se e apartamentit të parë.
Taksa e pronës për ndërtesat hyn në fuqi në vitin 2026.
Taksa e pronës për tokën bujqësore dhe truallin hyn në fuqi në vitin 2028.