BOTA

Dokumentari televiziv kinez tregon aftësitë e ushtrisë për të sulmuar Tajvanin

Kina ka publikuar një dokumentar të ri lidhur me përgatitjen e ushtrisë për të sulmuar Tajvanin.

Në dokumentar shihen ushtarë që zotohen të japin jetën nëse është e nevojshme, ndërsa Pekini vazhdon të intensifikojë retorikën kundër ishullit të vetëqeverisur.

“Chasing Dreams”, një dokumentar me tetë pjesë i transmetuar në fillim të kësaj jave nga kanali televiziv shtetëror CCTV me rastin e 96-vjetorit të Ushtrisë Çlirimtare Popullore, tregon stërvitje ushtarake dhe dëshmi nga dhjetëra ushtarë, disa prej të cilëve shprehin gatishmërinë e tyre për të dhënë jetën në një sulm të mundshëm kundër Tajvani.

Kina pretendon se Tajvani, një demokraci me vetëqeverisje, është territor i saj dhe do të merret me forcë nëse është e nevojshme.

Media shtetërore kineze dhe Ushtria Çlirimtare Popullore publikojnë shpesh materiale propagandistike që tregojnë modernizimin e ushtrisë, si dhe video të përpunuara nga stërvitjet ushtarake.

Këto materiale kanë për qëllim që të nxisin nacionalizmin kinez në rritje, të shfaqin vetëbesimin e ushtrisë përballë Tajvanit dhe në mënyrë të tërthortë ndaj lidhjeve të ishullit me Shtetet e Bashkuara.

Ndonëse Shtetet e Bashkuara nuk e njohin pavarësinë e Tajvanit, Uashingtoni është zotuar ta ndihmojë ishullin të mbrohet në rast të një pushtimi.

Shtëpia e Bardhë njoftoi muajin e kaluar për një paketë ndihme ushtarake për Tajvanin me një vlerë prej 345 milionë dollarësh. Veprimi amerikan, për të cilin ekspertët thanë se kishte nxjerrë mësime nga ndihma ushtarake e Uashingtonit për Ukrainën, u kritikua nga Pekini.

Dokumentari “Chasing Dreams” tregon ndër të tjera manovrat ushtarake “Joint Sword”, në të cilat simulohen goditje precize kundër Tajvanit.

Kina i zhvilloi manovrat përreth ishullit të vetqeverisur në muajin prill pas vizitës së Presidentes tajvaneze Tsai Ing-wen në SHBA.

Ndër pjesët më dramatike të dokumentarit janë premtimet e ushtarëve nga divizione të ndryshme të ushtrisë kineze për të dhënë jetën në rast të një sulmi të mundshëm kundër Tajvanit.

“Nëse do të shpërthente lufta dhe kushtet do të ishin shumë të vështira për të hequr në mënyrë të sigurt minat detare, ne do të përdorim trupat tanë për të hapur një shteg të sigurt për zbarkimin e forcave tona”, thotë ushtari Zuo Feng, me njësinë e marinës për pastrimin e minave.

Li Peng, pilot nga skuadroni Wang Hai i Forcave Ajrore, i bëri jehonë deklaratës së ushtarit, duke thënë se, “avioni luftarak do të ishte raketa e fundit që do të hidhej drejt armikut, nëse në një betejë të vërtetë, do të kisha përdorur të gjithë municionin”.

Fan Lizhong, komandant i një njësie speciale, thotë në dokumentar se ndërsa humbja e shokëve është e dhimbshme, ai duhet të ruajë gjakftohtësinë për t’iu përgjigjur emergjencave dhe për qënë gjithmonë gati për të luftuar.

Dokumentari flet edhe për aeroplanmbajtësen Shandog, një nga tre që ka Kina, e cila duket ndërsa lundron në formacion me disa anije të tjera luftarake. Gjatë muajve të fundit Kina dërgoi në mënyrë të përsëritur aeroplanmbajtësen Shandong në ngushticën e Tajvanit si një kërcënim ndaj Tajvanit./ VOA


Top Channel

Related posts

Pas Blinken, Zelensky mirëpret kryeministren daneze në Kiev! Në fokus paketa e ndihmës me avionët luftarakë F-16

admin

“Operacioni Banbury”: Si Britania e Madhe e tërhoqi vizitën e Zelenskyt?

admin

Shkatërrimi i digës në Ukrainë, New York Times: Shpërthimi i brendshëm është detonuar nga Rusia

admin

Leave a Comment