Politikanët e vendeve të ndryshme perëndimore i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, që të kenë qasje më kritike ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Përpjekjet e Serbisë për të prishur zgjedhjet demokratike në Kosovë duhet të denoncohen publikisht si ndërhyrje e huaj dhe duhet të ndërmerren veprime konkrete për ta mbajtur Serbinë përgjegjëse nëse ajo vazhdon të minojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, thuhet në letrën e ekspertëve të politikës së jashtme drejtuar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punët e Jashtme, Josep Borrell, Sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken dhe ministrit të Jashtëm të Britanisë, James Cleverly.
Letra është nënshkruar, edhe nga kryetari i komitetit të politikës së jashtme të Bundestagut, Michael Roth nga SPD dhe senatori amerikan, Bob Menendez.
Në këtë letër janë nënshkruar edhe kryetarët e komiteteve të politikës së jashtme të Britanisë e Çekisë, Ukrainës, Irlandës, Estonisë dhe Lituanisë.
“Ne kërkojmë që komuniteti ndërkombëtar të mësojë nga e kaluara jonë dhe të sigurojë që ne të mos ndjekim politikë me qendër Beogradin në Ballkan”, thuhet në letër.
Ata gjithashtu bëjnë thirrje që të shqyrtohet një politikë e diplomacisë parandaluese për të parandaluar një përkeqësim të mëtejshëm të situatës së sigurisë në veri të Kosovës.
“Ata që mbrojnë shtetin ligjor dhe demokracinë nuk duhet të qortohen”, thuhet mes tjerash në letërl, duke iu referuar shtetit të Kosovës.
Tutje në këtë letër thuhet se zbulimet e fundit të depove të armëve në veri të Kosovës dhe raportet për kontrabandën e vazhdueshme të armëve përmes kufirit Serbi – Kosovë, nxjerrin në pah rreziqet e përshkallëzimit të mëtejshëm.
“Kosova është një vend sovran dhe një demokraci funksionale. Ky fakt duhet të përbëjë bazën e politikës sonë të përbashkët ndaj krizë aktuale”.
Politikanët e huaj bëjnë thirrje për “kthim në ekuilibër dhe proporcionalitet në marrëdhëniet me Kosovën dhe Serbinë”.
“Mungesa e presionit ndaj Serbisë pas arrestimit arbitrar të tre policëve kosovarë dhe dështimi për të mbajtur përgjegjës për sulmet ndaj forcave të KFOR-it, tregojnë mungesën aktuale të paanshmërisë në trajtimin e pikave të tilla problematike”, janë shprehur politikanët e vendeve