BOTA

Gjykatësja federale në çështjen kundër ish-presidentit Trump, një ndëshkuese e ashpër

Gjykatësja federale e caktuar në çështjen për mashtrim zgjedhor kundër ish-presidentit Donald Trump, njihet si një nga ndëshkuesit më të ashpër të personave që sulmuan Kapitolin të nxitur nga pretendimet e pabaza të zotit Trump për vjedhjen e votave.

Ajo ka marrë vendime kundër zotit Trump edhe për çështje të tjera më parë.

Ish presidenti Trump do të paraqitet të enjten përpara gjykatëses së qarkut, Tanya Chutkan, e cila është emëruar në këtë pozicion nga ish Presidenti Barack Obama. Ajo shpesh ka dhënë dënime me burg për rastet e trazirave të 6 janarit 2021, që kanë qënë më të ashpra sesa kishin kërkuar prokurorët e Departamentit të Drejtësisë.

Zoti Trump u padit të martën me akuza për krime federale për përpjekjet e tij të vazhdueshme për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020 gjatë dy muajve para sulmit të dhunshëm ndaj Kapitolit nga mbështetësit e tij.

Gjykatësja Chutkan ka vendosur kundër zotit Trump më parë në një rast të veçantë për sulmet e 6 janarit. Në nëntor të vitit 2021, ajo refuzoi kërkesën e ish presidentit, që nën argumentin e privilegjit ekzekutiv, kishte kërkuar bllokimin e publikimit të dokumenteve të komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, që po hetonte sulmin e 6 janarit.

Ajo nuk e pranoi argumentin se ish presidenti kishte të drejtë të vendoste mbi dokumentet e administratës e tij, ndonëse Presidenti Joe Biden i kishte hapur rrugën Arkivit Kombëtar që t’i vinte në dispozicion të komisionit dokumentat. Ajo shkroi se zoti Trump nuk mund të pretendonte se privilegji i tij “ekziston përjetësisht”.

Në arsyetimin e vendimit të saj, gjykatësja Chutkan shkroi mes të tjerash: “Presidentët nuk janë mbretër dhe Paditësi nuk është President”.

Gjykatësja Chutkan ka dënuar të paktën 38 persona për krime të lidhura me trazirat e Kapitolit. Të 38-të morën dënime me burg, duke filluar nga 10 ditë deri në më shumë se pesë vjet.

Ajo është një nga rreth 20 gjykatësit në Uashington që në total kanë dënuar rreth 600 të pandehur për rolet e tyre në sulmin e 6 janarit. Më shumë se një e treta e tyre nuk kanë marrë dënime me burg.

Gjykatësit e tjerë zakonisht kanë dhënë dënime që janë më të buta, se ato të kërkuara nga prokurorët. Gjykatësja Chutkan, megjithatë, iu është përmbajtur, ose tejkaluar, rekomandimet e prokurorëve në 19, nga 38 dënimet e saj. Në katër prej këtyre rasteve, prokurorët nuk kishin kërkuar fare burg.

Gjyqtarja Chutkan ka thënë se burgu mund të jetë një parandalues i fuqishëm, kundër kërcënimit të një sulmi tjetër.

“Çdo ditë dëgjojmë për raporte të fraksioneve antidemokratike të njerëzve, që bëjnë komplot për dhunë, ose që kërcënojnë me përdorim dhune në vitin 2024,” tha ajo në dhjetor të vitit 2021, përpara se të dënonte një banor nga Florida, që sulmoi oficerët e policisë, me më shumë se pesë vjet pas hekurave. Në atë kohë, ai ishte dënimi më i gjatë për një rast të 6 janarit.

“Duhet të bëhet e qartë se përpjekja për të përmbysur me dhunë qeverinë, përpjekja për të ndaluar tranzicionin paqësor të pushtetit dhe sulmi ndaj oficerëve të zbatimit të ligjit, do të përballet me një dënim të ashpër”, tha ajo.

Gjykatësi Trevor McFadden, i emëruar nga ish presidenti Trump, sugjeroi gjatë një seance dëgjimore në 2021, se Departamenti i Drejtësisë ishte shumë i ashpër me ata që hynë në Kapitol, krahasuar me njerëzit e arrestuar gjatë protestave të padrejtësisë racore, pas vrasjes së George Floyd-it në vitin 2020.

Pa përmendur emrin e kolegut të saj, gjyqtarja Chutkan kritikoi sugjerimin e zotit McFadden ditë më vonë.

“Njerëzit u mblodhën në të gjithë vendin vitin e kaluar për të protestuar ndaj vrasjes së dhunshme nga policia të një njeriu të paarmatosur. Disa nga ata protestues u bënë të dhunshëm,” tha gjykatësja Chutkan gjatë një seance dëgjimore të tetorit 2021.

“Por të krahasosh veprimet e njerëzve që protestojnë, kryesisht në mënyrë paqësore, për të drejtat civile, me ato të një turme të dhunshme, që kërkon të përmbysë qeverinë e zgjedhur në mënyrë të ligjshme, nuk është e njejta gjë dhe injoron një rrezik shumë real, që trazirat e 6 janarit paraqesin për themelet e demokracisë sonë”.


Top Channel

Related posts

Turkmenistani komunist inauguron qytetin e ri në nder të ish-diktatorit (fotot)

admin

Norvegjia arreston ish-komandantin e Wagnerit që tentoi të kthehej në Rusi

admin

Fundosja e varkës në La Mansh/ Emigrantët që shpëtuan strehohen në kampe, trafikantët shqiptarë: Nuk ishin klientët tanë

admin

Leave a Comment