Ai aktualisht është duke drejtuar dy hetime të veçanta penale për një ish-president amerikan, por Jack Smith nuk është i panjohur në çështje me ndjeshmëri të lartë dhe për popullin shqiptar
Gjatë dy dekadave të fundit, 54 vjeçari Smith ka ndjekur zyrtarë publikë në SHBA dhe jashtë saj. Prokurori veteran është munduar të mbajë një profil të ulët që nga emërimi i tij si këshilltar special në dy hetimet ndaj Donald Trump nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA.
Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland e cilësoi Smith nëntorin e kaluar, si zgjedhjen e duhur për të përfunduar çështje në një mënyrë të paanshme dhe urgjente.
Prokurori i posaçëm e akuzon ish-presidentin për 40 shkelje të rënda për keqpërdorimin e dokumenteve të klasifikuara. Ai gjithashtu pritet të akuzojë Trump dhe për përpjekjet e tij për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.
I diplomuar në Fakultetin Juridik të Harvardit, ai filloi karrierën e tij në vitin 1994 si ndihmës avokat qarku në zyrën e prokurorit të Manhatanit.
Në vitin 2008, Smith shkoi në Hagë, ku mbikëqyri hetimet e krimeve të luftës për Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
Ai u kthye në Departamentin e Drejtësisë dy vjet më vonë si shef i njësisë së integritetit publik të Departamentit të Drejtësisë, i cili ndjek krimet federale.
Smith ka shënuar shumë “fitore” të dukshme gjatë karrierës së tij, duke përfshirë çuarjen në burg të ish-kryetarit të Asamblesë së shtetit të Nju Jorkut, Sheldon Silver, nën akuzën e korrupsionit.
Në vitin 2015, prokurori Smith pranoi një post në zyrën e prokurorit federal në Nashville, në mënyrë që të ishte më pranë familjes.
Në 2018, ai u kthye në Hagë, ku mori detyrën e kryeprokurorit të gjykatës për hetimet për krime lufte në konfliktin e viteve 1990 në Kosovë.
Kur prokurori Garland i ofroi punën e këshilltarit special në Uashington kundër Trump, ekipi i Smith po përgatitej për gjyqin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.