AKTUALE

ASH-ja ka përvojë të hidhur me koalicionet/ Taravari: Është koha që të dalim vetë në zgjedhje

Izet Mexhiti nga një tubim në Gostivar i çoi porosi Aleancës për shqiptarët dhe Arben Taravarit që të bashkohen në frontin opozitar, për ta bërë siç tha, ndryshimin e madh. Mexhiti theksoi se pjesëtarë të Qeverisë natyrshëm e kanë vendin në Frontin opozitar.  Por i pyetur nga TV21 kreu i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari tha se personalisht mendon se është koha që ASH të shkojë vetë në zgjedhje, kjo për shkak përvojave të mëparshme të hidhura.

“Aleanca për Shqiptarët, mendimi im personal, pa e marrë ende përkrahjen prej organeve partiake, mendoj se është koha që Aleanca për Shqiptarët seriozisht të mendojë të del vetë në zgjedhje, sepse përvojat tona janë të hidhura. Në vitin 2017 ne kur u larguam prej Qeverie dhe nuk kishte 60 deputetë Qeveria, Alternativa hyri në Qeveri, mbas asaj kur e lusnim në vitin 2020 Lëvizjen Besa, më kujtohet në tavolina të njëjta, në të njëjtin lokal uleshin AAA dhe Besa, se nuk mundeshim t’i ulim bashkë, kalojsha prej një tavoline në tavolinë tjetër për t’i bindur se duhet të dalim me lista të përbashkëta dhe po të dilnim në 2020 me lista të përbashkëta, ne së bashku do të kishim 16 apo 17 deputet dhe BDI sot do të ishte histori, po nuk ndodhi, Besa vendosi të shkojë me LSDM-në”- deklaroi Arben Taravari – Kryetar i ASH-së.

Taravari demantoi edhe atë se ASh do të shkojë në zgjedhje bashkë me BDI-në, në të ashtuquajturin Fronti Europian, madje ai tha se kjo temë po keqpërdoret nga funksionarë të lartë të BDI-së.

“Unë s’dua të kundërshtoj. Ai e ka hapur këtë temë, z.Ahmeti, por nuk ka një miratim prej ASH-së. Ne fundi fundit duhet t’i shohim interesat e partisë tonë, natyrisht mbi të gjitha janë interesat e qytetarëve, por asnjëherë nuk i kemi premtuar askujt. Unë e shoh që edhe keqpërdoret kjo temë prej anëtarëve dhe funksionarëve të BDI-së, sikur kjo punë është e kryer dhe se ASH në zgjedhjet e ardhshme shkon bashkë me BDI-në, dua ta demantoj dhe ta kundërshtoj. ASH nuk ka sjell një vendim të këtillë”- tha Arben Taravari – Kryetar i ASH-së.

Ndryshe në Frontin Opozitar tashmë ka pasur disa takime mes Kasamit, Gashit dhe Mexhitit. Nga ana tjetër i ashtuquajturi Front Europian  mendohet të jetë mes partive në pushtet LSDM, BDI, PDSH. Ndërkohë siç tha Taravari për këtë ASH nuk ka sjell ende vendim. 

Related posts

“Uragani” Ahmeti do t’i fryjë “të zjarrtit”

admin

Karvani i Bdi-së sonte në Sarajin e liderit të shqiptarëve Ali Ahmeti

Gjyla Halili

Osmani: Çdo bllokim i procesit të ndryshimeve kushtetuese do të nënkuptojë izolim për vendin

admin

Leave a Comment