Kryeministri Edi Rama, ka përfunduar mbledhjen dy ditore që ka zhvilluar së bashku me ministrat dhe zëvendësit e tyre në Tepelenë ku është bërë një analizë e thelluar për të gjitha reformat e ndërmarra nga qeveria, se cilat prej tyre kanë pasur rezultate dhe cilat jo.
Në një deklaratë për mediat, Rama tha se është diskutuar për një riorganizim të procesit qeverisës, ndërsa theksoi se në sesionin e ri do të ketë rritje të konsiderueshme të kapaciteteve qeverisëse, duke forcuar rolin edhe të zëvendësministrave.
“Po them disa fjalë lidhur me këtë mbledhje maratonë të zgjeruar të qeverisë, ku siç kemi bërë, por në një format tjetër, edhe në të shkuarën, në fund të një sesioni, në përgatitje të një sesioni tjetër, kemi diskutuar dhe kemi folur shumë hapur mbi problematikat. Është bërë një analizë e arritjeve, por duke i parë arritjet me sy kritik dhe po ashtu është diskutuar dhe nevoja për të riorganizuar të gjithë procesin qeverisës, duke filluar nga vetë organizimi i këtij procesi qeverisës, duke nisur nga vetë organizimi i këtij procesi në godinën e qeverisë dhe besoj se kemi arritur disa rezultate të dobishme dhe disa piketa të rëndësishme në mënyrë që sesionin e ri ta nisim me një impuls të ri dhe rritje të konsiderueshme të kapaciteteve qeverisëse, duke forcuar rolin edhe të zëvendësministrave dhe duke përfshirë në proces edhe të tjerë të agjencisë të rëndësishme. Do të krijojmë një kanal të ri ndërveprimi me ekspertizën vendase dhe të huaj, me botën akademike apo organizatat ndërkombëtare dhe me individë që kanë ide.
Ne gjithmonë kemi tendencën t’i lidhim reformat me njerëz dhe persona, dhe me lirime e emërime dhe shkarkimi. Por vetëreformi është më i gjerë se sa kaq. Është rikonceptim dhe riorganizim i procesit qeverisës, në funksion të rritjes së efiçencës dhe kapaciteteve më të qëndrueshme. Keni publikuar para 2-3 ditësh një raport statistika që lidhet me turizmin dhe keni parë se si Shqipëria ka pasur një numër gati të njëjtë me Greqinë”, tha ai.
Ai tha se beson se kanë realizuar disa qëllime të rëndësishme, ndërsa sqaroi se kanë vendosur dhe disa piketa në mënyrë që sezonin e ri ta nisin me disa reforma.
“Kemi nevojë të bëjmë një kapërcim tjetër vetë, të kuptojmë se çfarë sfidash të reja sjell ky ndryshim që po i ndodh vendit tonë. Si dhe të kuptojmë se sa shumë gjëra ne duhet të vëmë në dispozicion për ta cuar Shqipërinë në 2030 në atë maj që e kemi përcaktuar si vizionin tonë. Do shikoni në javët e ardhshme që do gjendemi para një situate tjetër, bashkë me lajmin e mirë vjen barra që ti duhet të kesh kapacitetet. Krahas këtyre ne kemi sfida që lidhen me rritjen e cilësisë së krahut të punës. Shqipëria nuk duhet të konsiderojë avantazh krahun e lirë të punës, sepse s’është. Kemi folur për një tjetër reforme , në arsim. Është shumë e rëndësishme. Për të thelluar një prnces ku ne nuk duhet të jemi të papërgatitur përballë këtyre lëvizjeve të mëdha, rënies së lindshmërisë, ndryshimeve që ndodhin në teknologji etj. Ne u fokusuam te kodimi, tani me inteligjencën artificiale ka dilemë. Folëm gjatë për IA. Kemi një proces të integrimit evropian që të transporzojmë 4000 e ca ligje, ndërkohë ne mund të bëjmë 60 në vit. Me IA ne mund ta bëjmë këtë me kosto të ulëta dhe shumë shpejt. Kemi filluar reformë për prokurorimet, do e ndryshojmë komplet. Me inteligjencën artificiale do t’a çojmë këtë proces në nivel tjetër. Do transformojmë edhe e-Albanian.”- tha ai.
Kreu i qeverisë foli edhe për interesin e investitorëve të huaj në Shqipëri.
“Imazhi i Shqipërisë në botë është i përmbysur tërësisht derisa sa jo shumë vite më parë. Ajo që shohim nga brenda është rritja e interesit të investitorëve të huaj, nuk flasim për projekte të fokusuara vetëm në sektorin e energjisë, flasim për investitorë të mëdhenj në fushën e turizmit, teknologjisë të cilët deri para jo shumë vite më para s’do e konsideronin Shqipërinë si një mundësi për të zgjeruar biznesin e tyre”, shtoi Rama.
Takimi në Tepelenë vjen pas mbledhjes së Asamblesë së PS, ku u morën vendime të rëndësishme pasi u ndryshua e gjithë kupola e partisë.
Rama në Asamble njoftoi largimin e Damian Gjiknurit nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm dhe prezantoi kreun e ri të Grupit Parlamentar që do të jetë Bledi Çuçi.