AKTUALE

QUINT-i dhe BE-ja të shqetësuara me vendimin e MINT-it ndaj Klan Kosovës: Presim proces të drejtë ligjor

Ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe Bashkimit Evropian përmes një deklarate publike kanë reaguar lidhur me vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë – që ta hedhë poshtë ankesën e Klan Kosovës për shfuqizimin e pezullimit të certifikatës së biznesit.

Ata janë shprehur me shqetësim për vendimin e ministrisë, duke thënë se ai mund të ketë pasoja për pluralitetin mediatik në Kosovë.

QUINT-i dhe BE-ja kanë thënë se presin proces të drejtë dhe transparent për ta zgjidhur këtë situatë.

“Revokimi i licencës së çdo medie është një hap domethënës që kërkon shqyrtim rigoroz. Liria e shprehjes dhe informimit janë tipare thelbësore të shoqërive demokratike. Presim një proces ligjor të drejtë dhe transparent për zgjidhjen e situatës”, thuhet ndër të tjera.

Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve vendosi të premten se Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) kishte “vepruar në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës”.

Vendimi i Komisionit e përmbyll këtë rast brenda Ministrisë, ndërsa pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente, njoftoi MINT të premten.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AKG) është shprehur i “alarmuar” me vendimin e Komisionit të Ankesave për të refuzuar ankesën e televizionit Klan Kosova, duke e cilësuar atë si të “motivuar politikisht” nga Qeveria e kryeministrit Albin Kurti.

“AGK-ja beson se ky proces që nga fillimi ka qenë i motivuar politikisht nga partia në pushtet dhe Qeveria e Kryeministrit Kurti, në përpjekje për të mbyllur televizionin më të madh privat në vend. Vendimi i sotëm i ministrisë së udhëhequr nga ministrja Hajdari konfirmon luftën e hapur dhe të paprecedent të kësaj qeverie, kundër medieve, si paralajmërim që edhe të tjera medie do të jenë cak i sulmeve”, thuhet në një reagim të asociacionit.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar edhe sekretar i përgjithshëm i Federatës së Gazetarëve Evropianë (FGE), Ricardo Gutierrez, i cili shkroi në Twitter se Kosovën e kanë mbuluar “ditë të zeza të censurës shtetërore”, dhe se Qeveria më në fund “korri sukses në mbylljen” e Klan Kosovës.

“Qeveria e Albin Kurtit po e zhyt vendin në liberalizmin më konservator, duke i përbuzur plotësisht vlerat e BE-së”, shkroi Gutierrez. /Telegrafi/

Related posts

Ende s’ka zgjidhje për transportuesit privatë , bisedimet me Arsovskën mbeten enigmë

admin

Mexhiti: Nga BDI ikin të gjithë sikur nga korona! Do të mbeten në opozitë me Levicën

Gjyla Halili

Grubi: Heqja e kufirit me Kosovën së shpejti, propozimi ka kaluar në dy Qeveritë

Gjyla Halili

Leave a Comment