BOTA

U kap me heroine, Singapori ekzekuton një grua për herë të parë në 20 vjet

Singapori ka ekzekutuar një grua për herë të parë në pothuajse 20 vjet, konfirmuan zyrtarët.

Saridewi Djamani, 45 vjeçe nga Singapori u shpall fajtore për trafikimin e 30 gr heroinë në vitin 2018. Ajo është e dënuara e dytë për drogë që ekzekutohet këtë javë, pas shokut të saj nga Singapori, Mohd Aziz bin Hussain. Singapori ka disa nga ligjet më të ashpra kundër drogës në botë, për të cilat thotë se janë të nevojshme për të mbrojtur shoqërinë.

Ligji i Singaporit specifikon se dënimi me vdekje do të vendoset për këdo që kapet duke trafikuar më shumë se 500 g kanabis ose 15 g heroinë. Gjykata më e lartë e qytetit e kishte hedhur poshtë ankesën kundër dënimit të saj më 6 tetor të vitit të kaluar. Një peticion për falje presidenciale ishte gjithashtu i pasuksesshëm, thanë autoritetet.

Ekzekutimi i saj vjen vetëm dy ditë pasi shoku i saj Aziz u var të mërkurën, i cili ishte i dënuar për trafikim të 50 g heroinë në vitin 2017.  Në prill, një tjetër singaporean, Tangaraju Suppiah, u ekzekutua për trafikimin e 1 kg kanabis që nuk e preku kurrë. Autoritetet thonë se ai e ka koordinuar shitjen nëpërmjet telefonit celular.

Miliarderi britanik Sir Richard Branson kritikoi Singaporin për ekzekutimet e tij, duke thënë se dënimi me vdekje nuk është një pengesë kundër krimit.

“Trafikantët e drogës në shkallë të vogël kanë nevojë për ndihmë, pasi shumica janë të detyruar për shkak të rrethanave të tyre,” tha zoti Branson në Twitter të enjten.

Mediat lokale raportuan se Saridewi dëshmoi gjatë gjyqit se ajo po grumbullonte heroinë për përdorim personal gjatë muajit të agjërimit islamik. Ndërsa ajo nuk e mohoi shitjen e drogave të tilla si heroina dhe metamfetamina nga banesa e saj, ajo minimizoi shkallën e atyre aktiviteteve, vuri në dukje gjykatësi See Kee Oon.

Autoritetet argumentojnë se ligjet e rrepta të drogës ndihmojnë në mbajtjen e Singaporit si një nga vendet më të sigurta në botë dhe se dënimi me vdekje për veprat penale të drogës gëzon mbështetje të gjerë publike.

Por avokatët kundër dënimit me vdekje e kundërshtojnë këtë.

“Nuk ka asnjë provë që dënimi me vdekje ka një efekt unik parandalues ose se ka ndonjë ndikim në përdorimin dhe disponueshmërinë e drogës,” tha Chiara Sangiorgio e Amnesty International në një deklaratë.

Amnesty International vuri në dukje se krahas Kinës, Iranit dhe Arabisë Saudite, Singapori është një nga vetëm katër vendet që kanë kryer së fundmi ekzekutime të lidhura me drogën.


Top Channel

Related posts

Shpërthim i fuqishëm në një fabrikë në Moskë, mbi 40 të plagosur

admin

Marok, banorët gërrmojnë me duar në rrënoja: Ndihmat priten me rezerva!

admin

NATO premton 624 milionë dollarë për mbrojtjen e Ukrainës

admin

Leave a Comment