BOTA

70-vjetori i nënshkrimit të armëpushimit që i dha fund luftës në Gadishullin Korean

Gadishulli Korean, i cili ishte pushtuar nga japonezët gjatë Luftës së Dytë Botërore, u nda përgjatë paralelit të 38-të pas dorëzimit të ushtrisë japoneze përballë aleatëve perëndimorë, duke krijuar kufirin e brendshëm midis Koresë së Veriut dhe të Jugut.

Lufta koreane filloi në qershor të vitit 1950, kur trupat e Koresë së Veriut kaluan kufirin në paralelin e 38-të dhe nisën një sulm të befasishëm.

Fillimisht, ushtria e dobët e Koresë së Jugut pothuajse u dëbua nga gadishulli, përpara se forcat e OKB-së të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të zmbrapsnin forcat pushtuese në thellësi të Koresë së Veriut.

Në konflikt u përfshinë edhe forcat e sapokrijuara të Republikës Popullore të Kinës, të mbështetura nga forcat ajrore sovjetike. Koreja e Jugut, Shtetet e Bashkuara dhe trupa nga vende të ndryshme nën drejtimin e Kombeve të Bashkuara luftuan për të zmbrapsur pushtuesit.

Gjashtëdhjetë e tre vende dërguan trupa ose e ndihmuan Korenë e Jugut gjatë luftës. Lufta Koreane e viteve 1950-1953 shkaktoi rreth 5 milionë viktima, ushtarë dhe civilë, duke i ndarë familjet përgjithmonë dhe duke lënë jetimë shumë fëmijë. Rreth 36,000 ushtarë amerikanë u vranë.

Një armëpushim i arritur më 27 korrik të vitit 1953 i dha fund konfliktit, çka do të thotë se gadishulli teknikisht është ende në gjendje lufte.

“Synimi tani është futja në fuqi e marrëveshjes së armëpushimit dhe të fillojmë të punojmë për një zgjidhje të qëndrueshme të problemit korean”, tha gjenerali amerikan Mark Wayne Clark, pas nënshkrimit të armëpushimit. Objektivi i gjeneralit për marrëveshje paqeje ende nuk është realizuar.

Qindra mijëra trupa janë dislokuar në të dy anët e kufirit mes dy Koreve, një prej kufijve më të armatosur në botë. Në disa raste janë shënuar shkëmbime në tokë dhe det, ndërsa zyrtarët e dy vendeve përdorin rregullisht retorikë të ashpër ndaj njëri-tjetrit. Rreth 28 mijë trupa amerikane janë të vendosura në Korenë e Jugut.

Shtatëdhjetë vjetori i armëpushimit vjen mes rritjes së tensioneve në rajon. Pheniani ka intensifikuar provat me raketa duke bërë që Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut të vënë në pah fuqinë ushtarake.

Disa ekspertë thonë se provat e Koresë së Veriut përkojnë me përvjetorin e armëpushimit. Shtetet e Bashkuara kanë shtuar praninë ushtarake në rajon, përfshirë një nëndetëse bërthamore.

Që nga fillimi i vitit 2022, Koreja e Veriut ka bërë prova me rreth 100 raketa, ndërsa shteti komunist po shfrytëzon agresionin e Rusisë mbi Ukrainën, për të prodhuar armë bërthamore, të cilat i sheh si garanci për të mbijetuar./ VOA

Related posts

Thatësira dhe pasiguria rreth grurit ukrainas, shqetësim për fermerët amerikanë

admin

“Të sëmurët” nga ai nxehti, në SHBA spitalet nuk përballojnë fluksin

admin

Blinken takohet me Zelenskyn në Kiev

admin

Leave a Comment