BOTA

Florida, rritja e temperaturës së detit kërcënon shkëmbinjtë koralorë

Shkencëtarët thonë se javët e fundit kanë qenë më të nxehtat në mbarë botën dhe ndoshta më të nxehtat në 100 mijë vitet e fundit.

Përmbytje të shumta po ndodhin në shumë vende të botës ndërsa shumë shtete të tjera po përballen me temperatura të larta. Ndërkohë, efektet e ndryshimeve klimatike po kërcënojnë ekzistencën dhe mënyrën e jetesës për shumë destinacione turistike në bregdet.

Një zjarr i furishëm dogji pyjet dhe shtëpitë në ishullin spanjoll të La Plamas, ndërsa erërat e furishme shtuan intensitetin e flakëve. Autoritetet thonë se më shumë se katër mijë njerëz janë evakuuar ndërsa Evropa po përballet me një valë të nxehti.

Vetëm vitin e kaluar, rreth 61 mijë njerëz mund të kenë vdekur nga nxehtësia e madhe në kontinent, sipas një vlerësimi të fundit të postuar në revistën Nature.

Reshjet rekord shkaktuan përmbytje të rrugëve në kryeqytetin e Indisë. Nju Delhi po përjeton sezonin tipik të musoneve, por ka shënuar 10 herë më shumë reshje se sa pritej për këtë periudhë të vitit.

Në pjesën verilindore të Shteteve të Bashkuara, shirat e dendura shkatërruan rrugët, nxitën evakuime të detyrueshme dhe bllokuan transportin ajror. Stuhia u shtri nga shteti Maine deri në Nju Jork, ndërsa njoftohet për deri 10 centimetra shi në disa zona.

“Përveç temperaturave jashtëzakonisht të larta në tokë, kemi gjithashtu temperatura shumë të larta të det. Disa qendra vëzhgimi pranë Majamit po tregojnë shenja të zbardhjes së hershme të koraleve”, thotë Michael Studivan me Universitetin e Majamit.

Sipas Administratës Kombëtare për Oqeanet dhe Atmosferën, NOAA, temperatura e lartë bën që koralet të zhvishen nga algat që janë pjesë e indeve tëtyre, çka mund të shkaktojë eliminimin e shkëmbinjëve koralorë. NOAA thotë se në vitin 2005, SHBA humbi gjysmën e shkëmbinjve koralorë të Karaibeve për shkak të zbardhjes. Shkencëtarët e një projekti për rigjallërimin e koraleve thonë se po shohin shenja shprese në një vend të pamundur, aty ku ndalojnë tragetët gjigandë.

“Ne thellësi të portit uji në përgjithësi është jashtëzakonisht i turbullt; uji i ngrohtë qëndron këtu për një kohë të gjatë. Pra jo një mjedis ku pritet të ketë korale të pastra. Por përgjatë kësaj vije detare të stabilizuar kemi gurë të mëdhenj, kemi korale që po lulëzojnë. Janë koralet më të shëndetshme që kam parë në Majami”, thotë Michael Studivan me Universitetin e Majamit.

Shkencëtarët thonë se kjo teknikë e re e mbarështimit dhe transplantimit të koraleve të shëndetshme mund të jetë çelësi për të mbështetur qëndrueshmërinë e tyre përpara se t’i vendosin ato në oqean. Koralet gjithashtu tërheqin turistët që mbështesin ekonomitë lokale të Floridës.

Sipas Administratës Kombëtare për Oqeanet dhe Atmosferën, NOAA, temperatura e oqeanit në Florida është rreth 35 gradë Celsius, krahasuar me temperaturat e zakonshme që shkojnë nga 22 deri 31 gradë./VOA


Top Channel

Related posts

Ngrica në SHBA dhe Kanada, temperatura deri në -77 gradë celcius

admin

Tragjike në Gjeorgji! 11 të vdekur nga rrëshqitja e tokës

admin

Gjykata elektorale e Brazilit ndalon ish-presidentin Jair Bolsonaro të kandidojë për 8 vjet (fotot)

admin

Leave a Comment